Edhe pse ditët kalojnë, skuadra e Teutës ende nuk ka një zyrtarizim të ri. Përgjigje negative ka kthyer edhe mbrojtësi i majtë slloven, Koçiç që pritej tek ekipi durrsak. Ndërkohë që menaxheri i skuadrës, Ilir Silo po punon për afrimet e reja në ekip.

Emrat janë të shumtë, por ende nuk ka diçka konkrete. Sakaq, mësohet se edhe administratori Bardhi ndodhet në Itali dhe po bën tratativa për disa lojtarë që mund të afrojë. Më i kërkuari është sulmuesi, i cili pritet të vijë nga vendi fqinj, Italia.

Tashmë, pritet një mbrojtës i majtë për të zëvendësuar Kotobellin, mesfushor qendre si dhe krahu, njëkohësisht edhe 2-3 sulmues që skuadra të jetë e kompletuar.Drejtuesit po punojnë për afrimet, por që nuk po nxitohen. Ata duan të bëjnë lëvizje të menduara me lojtarë, të cilët nuk i duan vetëm për një sezon, por të krijojnë një grup që të jetë afatgjatë dhe të mos kthehet skuadra durrsake në trampolinë për lojtarët që vijnë.

Sot pritet të ketë edhe një përgjigje nga mesfushori Curjuriç, por janë edhe disa emra të tjerë që pritet të mbyllin tratativat me durrsakët si mbrojtësi nigerian apo edhe sulmuesi që pritet nga italianët e Kaliarit.