Xhixhio Donaruma ka vendosur që të dalë vetë para mediave në grumbullimin me Kombëtaren U-21 për të sqaruar disi situatën që po kalon në këtë periudhë. “Dëshiroja të vija vetë në konferencë për shtyp pasi dua të tregoj që jam i qetë dhe po mendoj vetëm për ndeshjen e nesërme. Më vjen keq për të gjithë këtë rrëmujë që është krijuar, mendojmë vetëm për ndeshjen e nesërme dhe për të ardhmen do të mendohet vetëm pas Kombëtares”, tha ai duke i dhënë për momentin fund të gjitha zërave rreth rinovimit apo largimit nga Milani.
Si rrjedhojë e polemikave me Milanin, Donaruma është kthyer në një personazh të urryer për shumë tifozë të kuqezinjve të cilët nuk kanë ngurruar të kontestojnë lojtarin në një nga ndeshjet e përfaqësueses duke e gjuajtur me një tufë dollarësh fals.“Kontestimi në ndeshjen kundër Danimarkës? As nuk e kuptova që ishin dollarë, e kuptova vetëm më vonë. Por gjithçka zgjati pak, sepse jam i përqendruar vetëm te Europiani, që është një eksperiencë fantastike e cila do të më ndihmojë të rritem shumë”, komentoi Donaruma rreth atij episodi.