Në pritje të përgjigjes së mbrojtësit Milan Koçiç, skuadra e Teutës po punon për afrimin e radhës, që pritet të jetë një sulmues, për të cilin drejtuesit janë duke ngulmuar që ta kenë në përbërje për sezonin e ri. Aktualisht mendohet se po lakohet një lojtar italian, i cili ka luajtur me disa skuadra të njohura, por emri i tij nuk është bërë ende me dije.Gjithashtu synohet edhe afrimi i një mesfushori organizator, por drejtuesit janë treguar shumë diskretë për të dhënë emrat e tyre. Duket sikur merkatoja e durrsakëve është zhvendosur pikërisht jashtë vendit, ku edhe alternativat janë më të shumta, por mësohet se nuk është lënë mbrapa edhe Kategoria Superiore.
Kjo pasi trajneri Gugash Magani ka kërkuar lojtarë që dinë të mbajnë presionin e të jenë të gatshëm të japim maksimumin e tyre për skuadrën dhe jo të firmosin një kontratë vetëm për përfitime financiare. Madje në momentin e firmës me çdo futbollist ky është edhe një nga kushtet që kërkohet nga të gjithë.Por strategjia që drejtuesit do të ndjekin gjatë merkatos ka të bëjë edhe me lojtarët e rinj që janë pjesë e Akademisë. Pritet që në sezonin e ardhshëm Teuta të jetë një gërshetim mes atyre futbollistëve me eksperiencë dhe të rinjve që do të formojnë bazën e së ardhmes.Nuk duhet të harrojmë se nga Teuta janë larguar një numër i madh futbollistësh në përfundim të sezonit të shkuar dhe ata kanë nevojë që të zëvendësohen. Gjithsesi drejtuesit në bashkëpunim me trajnerin Magani janë duke u treguar të kujdesshëm që të marrin lojtarë, të cilët bëjnë diferencën me ata aktualë, por edhe me tregun.Pritet që Teuta e sezonit të ardhshëm të ketë si objektiv kryesor që të jetë në vendet e para të klasifikimit, duke qenë se edhe merkatoja do të jetë mjaft cilësore.