Një tjetër incident elektoral i pasuar nga dhuna është regjistruar në Krujë, ku një person që akuzohet se ka shpërndarë para për blerjen e votës, është dhunuar nga disa persona si edhe është kërcënuar me armë zjarri.
Mësohet se incidenti ka ndodhur midis simpatizantëve të PD-së dhe PS-së, ku këta të fundit akuzohen për dhunimin e një 30-vjeçari.
Policia e Durrësit informon në një njoftim për shtyp se ka nisur procedimin penal ndaj shtetasit B.K. 30 vjeç, banues në Krujë, të cilit iu gjet një shumë prej 4 milionë lekësh të vjetër, sasi kjo që u sekuestrua nga ana e uniformave blu.
Sipas burimeve, mësohet se 30-vjeçari B.K. është simpatizant i PD-së, ndërsa personat që e kanë dhunuar të PS-së.
“Më datë 24.06.2017, në fshatin Zëzë, Krujë, pas një konflikti midis disa simpatizantëve të dy subjekteve politike, për motivin se shtetasi B.K. po shpërndante vlera monetare te persona të ndryshëm, anëtarë të komisioneve, vëzhguesve të subjekteve politike që aderon.
Gjatë kontrollit fizik të ushtruar shtetasit të mësipërm iu gjet dhe sekuestrua shuma prej 400.000 lekësh (të rinj).
Gjithashtu u shpall në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasit:
• R Rr. 23 vjeç, banues në Krujë.
R.Rr. dyshohet se në bashkëpunimim me dy shtetas të tjerë, të paidentifikuar, kanë kanosur me fjalë, goditur me grushta dhe kërcënuar me armë zjarri, shtetasin B.K.”, informon policia e Durrësit.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë për veprime të mëtejshme për veprën penale:
• “Dhënia e shpërblimeve dhe e premtimeve” në ngarkim të shtetasit B.K.;
• “Kanosja” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” në ngarkim të shtetasit R.Rr.





