Edhe pse e ka quajtur atë si një “njeri të nderuar”, presidenti Donald Trump ka ngritur dyshime mbi neutralitetin e Robert Mueller, prokurori special që po heton ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit të kaluar.
Trump tha se miqësia e Mueller me James Comey, i cili kryesonte hetimin deri në momentin që u shkarkua nga posti i drejtorit të FBI-së, është “e bezdisshme”. I pyetur nga “Fox News”, nëse Mueller duhet të tërhiqet gjithashtu, Trump tha se “do të na duhet të presim e të shohim”.
Mueller u përcaktua si prokuror special nga Departamenti i Drejtësisë për të udhëhequr hetimin ndaj ndërhyrjes së pretenduar të Rusisë, pas shkarkimit të Comey më 9 maj.
Ai nuk ka dhënë detaje mbi hetimin e tij deri më tani, por mediet amerikane kanë raportuar se po e heton Trumpin për pengim të mundshëm të drejtësisë, qoftë në momentin e shkarkimit të James Comey, ashtu edhe për përpjekjen e Trump për t’i dhënë fund hetimit ndaj ish-këshilltarit të tij për Sigurinë Kombëtare, Michael Flynn.
Presidenti Trump ka mohuar vazhdimisht bashkëpunimin me Rusinë, duke e quajtur këtë akuzë një “gjueti shtrigash”. E të njëjtën gjë konfirmoi edhe në intervistën për “Fox & Friends” këtë të premte, kur tha se “nuk ka ekzistuar asnjë pengim dhe asnjë bashkëpunim”. Ai e ka quajtur akuzën për pengim të drejtësisë si “qesharake”.
I pyetur nëse Mueller duhet të tërhiqet vet nga hetimi për shkak të miqësisë me Comeyn, Trump u shpreh se “po, ai është mik i mirë me Comeyn, e kjo është diçka bezdisëse. Por ai është edhe… na duhet të presim e të shohim”.
Ditën që u emërua Mueller, Trump thuhet të jetë xhindosur, por prokurori special fitoi shumë shpejt lavdërime nga republikanët e nga demokratët.