Liderët e vendeve anëtare të Bashkimit Europian u mblodhën në Bruksel për një Samit dyditor, ku edhe një herë fokusi do të jetë shkëputja e Britanisë së Madhe nga blloku.
Në të parin Samit qëkurse Birtania e Madhe nisi zyrtarisht procedurat për Brexit, presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, shpreu gatishmërinë e Brukselit për mirëpritur deri në fund një kthim pas të Londrës zyrtare, madje për të thënë këtë ai citoi një legjendë britanike të muzikës John Lennon.
Donald Tusk (Presidenti i Këshillit të Europës)
Disa miq britanikë më pyetën nëse Brexit mund të përmbyset. Unë u thashë se Bashkimi Europian u ndërtua në ëndra që dukeshin të pamundura. E pra, kush e di. Ju mund të thoni se jam një ëndërrimtar, por nuk jam i vetmi.
Ky samit është i pari për presidentin francez Emmanuel Macron, i cili në një prononcim publik pak para se të mbërrinte në Bruksel, theksoi se Europa nuk është një supermarket, por një fat i përbashkët dhe kush nuk respekton rregullat duhet të paguajë pasojat. Macorn nënvizoi rëndësinë e forcimit të binomit franko-gjerman, motori kryesor i Bashkimit Europian.
Edhe kancelarja gjermane Angela Merkel, u shpreh e vendosur për rrugëtimin post-Brexit të BE-së, duke thënë së me rëndësi mbetet e ardhmja e 27 vendeve anëtare.
Nga ana e saj, kryeministrja britanike Theresa May siguroi se edhe pas shkëputjes nga BE, do të mbrojë të drejtat e qytetarëve europianë në Britaninë e Madhe.