“Kundërshtarët politikë të LSI-së nuk respektojnë as kodin e zisë.  Të frikësuar se do të përfundojnë pa elektorat, po sulmojnë në mënyrën e keqe, duke shpifur e duke trilluar”,- këtë deklaratë ka bërë kandidati i LSI-së Flamur Gjuzi, ndaj disa sulmeve të ndërmarra ndaj figurës së tij.

Disa ditë më parë babai i Gjuzit ndërroi jetë në mënyrë krejt të papritur.  Pikërisht në këtë moment delikat për familjen Gjuzi e cila gjendet në zi, kanë nisur një sërë sulmesh të pashembullta ndaj tij, nga një portal pranë Partisë Socialiste.  “Janë trillime për të prishur imazhin tim, janë të frikësuar e të pashpresë”,- tha Gjuzi.

“Një media sociale pranë PS, ka shpifur duke trilluar histori krejtësisht të pavërteta. Nëse nuk do të bëjnë përgënjështrim, do t’i kallëzoj penalisht në prokurori”,- tha më tej Gjuzi në një komunikim për mediat.

Sulmi ndaj figurës së tij, sipas kandidatit të LSI-së ka ardhur për shkak të  mbështetjes së gjerë të LSI-së nga populli durrsak në zgjedhjet e 25 qershorit. “Jo vetëm në zonën e Rrashbullit ku LSI-ja ka një hambar të madh votash dhe ku bën fushatë Gjuzi , por në të gjithë Durrësin mbështetja e popullit është e padiskutueshme. Fakti që unë si kandidat kam qenë i suksesshëm ka frikësuar PD e PS, që në mënyrë shumë të ulët e të paprecedentë trillojnë të tilla sajesa nëpër portale”,- u shpreh Gjuzi.

Ish-punonjësi i  policisë së shtetit,  i trajnuar dhe dekoruar nga ambasada amerikane në 2004 si oficeri me rezultatet më të shkëlqyera në luftën ndaj trafikut të qenieve njerëzore, ish-avokat dhe drejtues i Agjencisë së Legalizmit , pohoi se nuk do të  lejojë askënd të deformojë votën e popullit.

“Ju bëj thirrje që askush të mos vjedhë apo të blejë vota”-, tha Gjuzi. 

K.H.