"Do doja t’ja thoja me fjalë dhe ai të më kuptonte, që është e vetmja gjë që më dhemb, kur detyrohem të largohem prej tij.
Uroj që të më falë dhe të më kuptojë kur të jetë më i rritur”. Përtej gruas diplomate gjen një nënë te Klajda Gjosha. Gjuha e drunjtë ia lë vendin fjalëve më të dashura. Nga gjithë biseda me të, më mbeti në mendje kjo frazë, si për të vënë theksin te ajo që është më e rëndësishmja në jetë, buzëqeshja e fëmijës tënd dhe shikimi i tij i pafajshëm në një botë gjithë faje.
Kanë qenë për të, katër vite të arta. Dhe intensive. Njëherësh u bë nuse, mama për herë të parë dhe ministre e Integrimit. 4-vjeçari i ka ikur sa hap e mbyll sytë. “Tepër intensiv dhe i mbushur me ngjarje qoftë në jetën personale ashtu edhe për sa i përket punës”, – thotë ajo për revistën “WHO”.
Tanimë kryeson listën e kandidatëve për deputetë të Tiranës. Nuk ka qenë i lehtë, por tani në fund teksa bën bilance, mendon se ka qenë një nga periudhat më të rëndësishme të jetës së saj. “Mund të them me bindje se ndjehem e plotësuar për faktin se kam bërë maksimumin për të mos lënë pas dore as familjen time që është gjëja më e rëndësishme, por edhe për të përmbushur detyrën time si Ministre e Integrimit, të cilën e kam parë gjithmonë si një përgjegjësi të madhe, jo vetëm ndaj vetes, ndaj atyre që ma kanë besuar por së pari ndaj vendit, pasi unë besoj se integrimi është busulla që duhet të udhëheqë Shqipërinë, në mënyrë që fëmijët tanë të kenë të ardhmen e merituar”.
Bashkëshorti i saj, shok prej kohës së gjimnazit, në këto katër vite është bërë një partner edhe më i besueshëm. Asgjë nuk ka ndryshuar nga raporti i tyre i paprekshëm. “Ardiani për mua është mbështetja më e madhe, bashkëudhëtar në çdo hap që unë hedh. Nuk e di të them të drejtën nëse do t’ia kisha dalë po kështu nëse nuk do të kisha atë në krah”.
Në gjithë malin e angazhimeve marrëdhënia me të birin, Luisin, është ajo që i peshon. “E ndjen që e ke lënë paksa pas dore?”, – e pyes. Më flet për një borxh ndaj tij. Është kohë ky borxh. Një kohë që do të donte ta kalonte duke e parë si rritet çdo ditë. E gjithë kjo dëshirë, përkthehet edhe në mundim. “Ka pasur raste kur e kam marrë me vete (në fushatë). Kur nuk jam unë Luisi rri me Ardianin, gjyshërit”.
E kur orët kalojnë, mes turravrapit, zyrë, fushatë, LSI, takime, konferenca, dua të di se si reagojnë kur nënë e bir shohin njëri-tjetrin. “Do doja të më pyesnit si reagoj unë kur e shoh… sepse s’kam koment si reagon ai”, – thotë Klajda, që kur flet për të, është tërësisht jashtë kostumit institucional.
Ka qenë një kohë që e merrte me vete në Bruksel. Ai, si një diplomat i vogël, që ende i pavetëdijshëm hynte në pallatet e mëdha të Europës. “Nuk jam penduar që e kam marrë me vete, pasi ai ishte shumë i vogël dhe duhet të ushqehej me gji. Ndaj ka qenë e pashmangshme marrja e tij në Bruksel apo udhëtime të tjera. Unë kam qenë gjithmonë shumë strikte me oraret e tij, madje jam akoma”, – thotë Klajda, e cila pohon se nuk është aspak xheloze që Luisi i ka ngjarë Ardianit. “Nuk ka vend për xhelozi fare, por nga ana tjetër Luisi ka karakterin tim. Është çështje kompensimi”, – thotë duke qeshur mamaja e lumtur.
VAJZA E KATËR DUARVE
Vajzë e një familjeve qytetare, e me këtë nuk nënkuptojmë vetëm origjinën, pasi Klajda, bart dhe rrezaton një fëmijëri të lumtur. Reflekton sigurinë e një vajze të përkëdhelur që ka pasur gjithnjë pranë katër duar që e ledhatonin. Janë ato duar që dikur teksa preknin, rrisin brenda saj vetëbesimin, motorin e rëndësishëm për të ardhmen.
“Nuk dua të tingëllojë një klishe, por për mua prioriteti më i madh janë njerëzit e mi të dashur. Besoj fort se asnjë pozicion nuk mund të jetë mbi marrëdhëniet me ta”, – më thotë kur e pyes se sa mbështetje kanë qenë për të prindërit. Megjithë ngarkesën që ka pasur, ka gjetur gjithnjë kohë t’u tregojë sesa të rëndësishëm janë edhe në ditët e saj më të lodhshme. “Siguria që ata më japin është e njëjtë edhe me një telefonatë të gjatë në fund të një dite super të rënduar”. Ende sot, këshillohet me babanë dhe bashkëshortin për vendime e deklarata, duke vlerësuar mendimin e tyre, për vërtetësinë. “Për ta, ka rëndësi ajo që duhet të jetë më e mira për mua”, – dhe këtu nuk ka asnjë dyshim.
Të jesh nënë e re dhe në një punë, ku nuk shmang dot asnjë përgjegjësi, padyshim që shton presionin e gjithanshëm, por edhe kjo është çështje këndvështrimi. Ajo mohon se Luisi e ka penguar duke shtuar: “Madje më ka dhënë forcë edhe më shumë. Kam qenë gjithnjë kundra mendimit që një grua ose duhet të jetë thjesht një nënë e mirë, ose duhet të avancojë në karrierën e saj. Të dyja këto mund të ecin paralel, nëse ti vendos prioritete dhe balancë për secilën, ja del. Këtë duhet ta bëjë çdo nënë e re, të mos heqë dorë nga puna, jeta e saj, formimi i saj. Ky është modeli që duhet t’i ofrojmë fëmijëve tanë, sepse vetëm kështu ata mund të rriten shëndetshëm në çdo aspekt”.
NJË POLITIKË E VOGËL, BRENDA SË MADHES
Megjithë debatet e mëdha në politikë, ka mundur të ruajë një staturë larg fyerjeve në publik, çka shpesh duken të zakonshme në politikë. Duke lënë mënjanë retorikën e ashpër, Klajda Gjosha ia ka dalë të jetë vetëm Klajda. Për të, retorikat, fyerjet personale, ngritja e zërit, nuk të çojnë askund. “Unë kam hyrë në politikë për të treguar se ne mund ta ndryshojmë atë, jo të deformohemi prej saj. E them gjithnjë se të rinjtë në politikë duhet të sjellin produkt, të japin kontribut me dijet e tyre, vizionin, ide të reja, pasi jemi të gjithë të lodhur nga zhurma e madhe, veprat e pakta dhe fyerjet”. Ka vendosur t’i rrijë larg këtij realiteti që na serviret çdo ditë nëpërmjet ekraneve televizive, apo edhe në parlament.
“Por a ka qenë e vështirë”, – e pyes, “duke qenë e pranishme në debate të tilla, të mundet të qëndrojë aty dhe e papërlyer”. “Natyrisht që ka qenë e vështirë, pasi kultura e politikëbërjes në Shqipëri për hir të së vërtetës ka qenë e tillë. Madje të vjen keq edhe kur sheh politikanë të rinj apo politikanë që trumbetojnë një politikë të re, të flasin me gjuhën e vjetër të konfliktit. Është e papranueshme”.
Në LSI, e kemi parë me shumë figura. Flet për një bashkëpunim të shkëlqyer me të gjithë miqtë e saj në LSI dhe për një frymë të të punuarit në ekip, një frymë që në kohë sfidash e garash si kjo e 25 qershorit i bën bashkë të gjithë në front. Dhe kur mendon LSI, nuk mund të anashkalosh Monën. Në fakt, shumëkush flet për të si gruaja që gjen gjuhën me të gjithë, si njeriu tek e cila përplasen të gjithë për gjithçka, herë për këshilla e herë për orientime. “Në lidhje me Monën, ajo është shtylla me e fortë ku mbështeten të rinjtë, gratë, vajzat, jo vetëm brenda LSI, por edhe jashtë saj”, – thotë Gjosha.
Tani që raportet me një pjesë të qeverisë kanë ndryshuar si edhe me opozitën, nuk mund të mos pyesësh mbi kushtëzimin që ndjen vetë Klajda. Ajo rrëfen se si Ministre e Integrimit, pjesë e kabinetit qeveritar është përpjekur që në asnjë moment të mos përdorë logon e LSI-së, në vendimet e saj, qëndrimet e saj apo edhe vlerësimet e saj për atë që ndodh brenda qeverisë. “Kam qenë e prirur për një bashkëpunim maksimal me kolegët e mi, pavarësisht se nuk kemi qenë nga e njëjta force politike. Gjithsesi, tashmë jemi në kohë fushate, në një garë që jo vetëm nuk më ka kushtëzuar, por më lejon të jem shumë më e lirë nga më parë për të shprehur qëndrimin tim, duke përfaqësuar LSI-në”.
Në një fushatë pa administratën, çdokush merr me vete dhe ka pranë njerëzit e vet të besuar me të cilët menaxhon 1 muaj takime, biseda, në gjithë zonën. Njerëzit e saj të besuar thotë se janë qytetaret te cilët besojnë në vizionin e LSI-së. “Janë ata që më shoqërojnë çdo ditë. Një pjesë e mirë e tyre janë të rinj dhe të reja të palodhur në dëshirën e tyre për t’i dhënë vendit një qeverisje ndryshe, më transparente dhe në funksion të tyre”.
NJË ‘ANGLEZE’ NË SHQIPËRI
Tani kanë mbetur larg vitet e studimit në Angli. Ajo kohë lirie mes ajrit londinez. Ajo kohë ëndërrimesh të pamata, që sot i prek me dorë, por që gjithsesi ruan prej saj, një stil të dallueshëm. Kultura angleze, e fituar nga koha e studimeve, ka qenë një aset në marrëdhëniet njerëzore e profesionale, qoftë edhe në karrierën në Shqipëri. “Mendoj se më ka shërbyer shumë. Është një kulturë tjetër, një mënyrë tjetër të të bërit të gjërave. Të ndihmon në raportet profesionale, sa për pjesën njerëzore mendoj se ajo ka të bëjë me individin dhe jam e lumtur që nuk kam ndryshuar aspak tek kjo pjesë”.
Një “angleze” si Klajda i bën pushimet në Shqipëri, por edhe udhëton. “Nuk kam pasur destinacione fikse. Kam udhëtuar brenda dhe jashtë vendit. Jugu i Shqipërisë më pëlqen shumë”, – thotë ministrja e Integrimit. Edhe këtë verë do të pushojë, por pas zgjedhjeve.
Një ministre si ajo, është një njeri krejt i thjeshtë pas orarit e takimeve zyrtare. Axhenda përcakton mënyrën e jetesës, e përtej modestisë, e përditshmja ndryshon, por Klajda ruan jashtë kostumit një kënd të vetin, krejt normal. ”Detyra e ka ndryshuar jetën time aq sa për të mos më ndryshuar mua, por kjo eksperiencë ka qenë shkollë më vete”. /revistawho.com/