Sot do të flasim për një bimë të veçantë, kaktusin. Me siguri që nuk jua merr mendja se edhe kjo bimë ka një domethënie të veçantë. Por si të gjitha lulet e bimët edhe kaktusi simbolizon diçka.
Kuptimi i tij nuk lidhet me traditat shekullore europiane, sepse kaktusi ka filluar të bëjë pjesë në jetën tonë të përditshme vetëm kohët e fundit, duke qenë se është bimë që rritet në shkretëtirë ose në zona shumë të ngrohta.
Do të habiteni, por kaktusi shpreh besnikërinë dhe jetëgjatësinë e ndjenjave. Kjo lidhet në fakt me vetë jetëgjatësinë e kaktusit.
Sipas një legjende përtej oqeanit, Quehualliu, një indian i ri e i bukur, nuk kishte sy për vajzë tjetër, veçse për Pasancana-n, të bijën e kryetarit të tribusë. Dy të rinjtë që ishin rritur bashkë u dashuruan marrëzisht. Për fat të keq kryetari i tribusë donte ta martonte të bijën me dikë tjetër, një gjuetar të shkëlqyer.
Duke parë ëndrrën e tyre të copëtohej, të dashuruarit vendosën t’ia mbathnin. Kryetari u zemërua pa masë kur mori vesh për arratinë e tyre dhe vendosi të dërgojë luftëtarët për t’i kërkuar ata. Pas ecjeve shumë të gjata të rinjtë e arratisur ishin të rraskapitur dhe vendosën të pushonin për disa minuta. Ata i kërkuan ndihmë perëndeshës së tokës Pachamama-s që t’i fshihte, dhe kjo e fundit i fshehu në një vrimë në mal. Njekësit e tyre pritën dhe kërkuan gjithë natën për ta, së bashku me babain e vajzës, por perëndesha në mënyrë që askush të mos i ndante i transformoi të dashuruarit në një kaktus.
Duke patur parasysh legjendën, kaktusët janë dhurata perfekte për personin që duam, për t’i kujtuar që ndjenjat që kemi karshi tij/saj nuk janë kalimtare, por që do të zgjasin në përjetësi.
Përveç domethënies kuptimplotë, kaktusi është një bimë ideale për të dekoruar ambientet e shtëpisë, apo zyrës.
Shikoni në fotogalerinë e mëposhtme disa prej llojeve të tij.
R.O.





