Sot do të fillojnë negociatat mes zyrtarëve britanikë dhe atyre të Bashkimit Evropian për largimin e Britanisë së Madhe nga BE-ja. Sekretari për Brexit, David Davis do të përfaqësojë Britaninë në këto bisedime, të cilat vijnë gati një vit pasi britanikët tronditën botën duke votuar largimin nga BE-ja.
Që nga zgjedhjet e përgjithshme të Britanisë më 8 qershor, kryeministrja Theresa May ka pasur presion që të ketë kujdes në qasjen e qeverisë ndaj Brexit-it dhe të favorizojë ruajtjen e lidhjeve të ngushta me tregun evropian.
Davis, një përkrahës i Brexit-it, do të takohet me negociatorin e BE-së, Michel Barnier, ish-ministër francez. Takimi do të mbahet në orën 11:00, në Bruksel.
Zyrtarët do të japin një konferencë të përbashkët për shtyp pas bisedimeve fillestare, që pritet të zgjasë shtatë orë.
“Tani fillon puna e vështirë. Këto bisedime do të jenë të vështira në disa pika, por ne do t’iu qasemi në mënyrë konstruktive”.
Procesi për Brexit kërcënon ndarjen gjeografike në Mbretërinë e Bashkuar. Skocia ka votuar për të qëndruar në BE, ndërsa Irlanda e Veriut tani ka frikë nga një kufi i vështirë i BE-së me Republikën e Irlandës.