Nënkryetari i LSI-së, Luan Rama ka dalë në një konferencë për mediat, pas deklaratave të Edi Ramës nga Vora, ku tha se LSI po mban peng hipotekat dhe se çirren dhe bërtasin. Luan Rama e sfidoi kryeministrin duke ftuar qytetarët që të shkojnë te Hipoteka dhe të marrin leje meqë tani drejtohet nga dikush.

Ai e konsideroi kryeministrin Rama një ‘klloun mashtrimi’ që do të ndëshkohet me votë më 25 qershor.

“Kryetari i Rilindjes u shfaq prapë sot në Vorë njësoj si personazhet e Konicës te “Katër Përralla” nga Zululandi, jam i detyruar të nënvizoj përpara jush se ku qëndron gënjeshtra dhe spekulimi i kryetarit të Rilindjes.

Me shumë hipokrizi dhe në mashtrim të plotë, kryetari i Rilindjes tha sot se në gjithë Bashkinë e Vorës janë 3 mijë familje që nuk kanë marrë tapitë, duke thënë se është çështje e tepsisë.

Më lejoni të bëj të ditur me faktin që Hipotekën në Qarkun e Tiranës, Hipotekën në Durrës, Vlorë, Elbasan dhe 80 për qind e kanë njerëzit e emëruar prej tij. Unë i ftoj të tre mijë familjet e Vorës që të paraqiten nesër pranë Hipotekës së Tiranës për të marrë aktet e pronësisë meqenëse tani zotëria në fjalë ka gjithë pjesën e tepsisë.

Ai tha një vërtetë që ne e dinim. Tha se e paska ndihmuar Fiqon të bëhej kryetar i bashkisë dhe tani i kërkon ta kthejë reston. Natyrisht, kjo vetëm sa e zgjeron hartën e pazarit të Pogradecit, atë që ndodhi në Bashkinë e Lezhës, Kukësit dhe Mallakastrës që u humbën vetëm nga pabesia e pazareve të Rilindjes. Natyrisht, me hipokrizi ai ka marrë pjesë në disa veprimtari elektorale në Bashkinë e Vorës.

Për të sjellë një argument më shumë të hipokrizisë dhe mashtrimit të kryetari gjunjë-këputur, tha se gjatë bashkëqeverisjes 4-vjeçare LSI ka ndihmuar vetëm me vota. Të gjitha të mirat e tjera këtij populli ia paska bërë Rilindjen. Më lejoni t’ju kujtoj reformën në drejtësi. Po. Ka të drejtë. Ne nuk e lejuam që reformën ta bënte siç e kishte konceptuar ai. Ne nuk e lejuam që drejtësia të bëhej aneks i Rilindjes. Ka qenë rezistenca dhe kontributi i LSI-së që reforma në drejtësi u konkretizua me votimin konsensual vetëm falë këmbënguljes së LSI-së.

25 qershori është dita kur qytetarët do të ndëshkojnë këtë klloun të mashtrimit”, përfundoi fjalën e tij Luan Rama.