Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun Durrës, njëherësh kreu i bashkisë, Vangjush Dako, së bashku me kandidaten për deputete, Klodjana Spahiun, zhvilluan një takim me banorët e lagjes numër 7.

Në fjalën e tij, Dako tha se qytetarët e Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, janë dëshmitarë të ndryshimeve që kanë ndodhur në këto 44 muaj të qeverisjes teksa u shpreh i bindur se banorët e lagjes numër 7 do të mbështesin kryeministrin Edi Rama dhe Partinë Socialiste në 25 Qershor.

“Ju jeni dëshmitarë të gjitha ndryshimeve që kanë ndodhur në Durrës, por edhe në të gjithë Shqipërinë gjatë këtyre katër viteve. Para katër viteve votuat Edi Ramën dhe besoj se gjithsecili nga ju nuk është i zhgënjyer por përkundrazi, e mbështetët më shumë atë për arsye të reformave shumë të thella që qeveria “Rama”, ka ndërmarrë në këto katër vite”, u shpreh Dako.

Duke sjellë në vëmendje investimet që Bashkia Durrës ka kryer gjatë këtyre viteve në lagjen numër 7, kryebashkiaku siguroi banorët se me mbështetjen e kryeministrit Rama investimet do të jenë edhe më të mëdha. “Kërkoj votën e lagjes numër 7 dhe gjithë qytetarëve të Durrësit, votë për numrin 2, votë, më 25 Qershor, për Edi Ramën kryeministër. Edi Rama është e vetmja rrugë, është fuqia e ndryshimit dhe transformimit të madh, jo vetëm të Tiranës, Durrësit, por gjithë Shqipërisë. Dhe jam i sigurt që do ta çojë Shqipërinë drejtë Europës”, deklaroi Dako.

Nga ana e saj, kandidatja Spahiu u shpreh e bindur se banorët e lagjes numër 7, në datën 25 Qershor, do të votojnë, ashtu sikundër edhe zgjedhjet e kaluara, për Partinë Socialiste dhe kryeministrin Edi Rama. “Edhe pak ditë na ndajnë nga data 25 qershor dhe ju të gjithë tashmë e keni dëgjuar, e keni parë që në gjithë Shqipërinë, kryeministri Edi Rama po takon qytetarët anembanë vendit, për të treguar dhe biseduar me ta se çfarë është bërë në këto 44 muaj dhe cili është programi i Partisë Socialiste për katër vitet e ardhshme. Por pa mbështetjen tuaj, pa kurajën e çdo qytetari  nuk realizoheshin këto reforma kaq të rëndësishme. Ndaj, edhe ne sot vijmë pranë jush për t’ju kërkuar edhe një herë mbështetjen e jashtëzakonshme që ju në fakt si banorë të lagjes numër 7 e keni dhënë”, theksoi Spahiu.