Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun Durrës, njëherësh kreu i Bashkisë, z. Vangjush Dako, së bashku me kandidatet për deputete, znj. Klodjana Spahiu dhe znj. Ana Dhamo zhvilluan një takim me banorët e lagjes numër 1.
Në fjalën e tij, Dako tha se vota për Edi Ramën dhe Partinë Socialiste është e vetmja rrugë për të vijuar transformimin e madh të Shqipërisë dhe të Durrësit. Kryebashkiaku u shpreh para banorëve të lagjes nr.1 se mbështetja që qeveria Rama i ka dhënë Bashkisë Durrës në këto katër vite ka qenë një mbështetje shumë e madhe, e cila është përkthyer në projekte të shumta të cilët tashmë janë një realitet i prekshëm nga çdo qytetar në Durrës.
“E kërkojmë votën për Edi Ramën sepse ne besojmë tek Edi Rama, besojmë tek Partia Socialiste si e vetmja rrugë që mund të vazhdojë transformimin e madh të Shqipërisë dhe të Durrësit. Unë jam i sigurt që do të votojmë Partinë Socialiste, jo vetëm për gjërat e mëdha që ajo ka bërë, por edhe për Bashkinë e Durrësit ka qenë një mbështetje shumë e madhe. Mbështetjen që ne kemi marrë për këto katër vite nuk i kemi marrë në gjashtë vite kur kemi punuar me qeverinë e kaluar”, theksoi z. Dako.
Nga ana e saj, kandidatja Spahiu kërkoi bashkimin e të gjithë qytetarëve, pa dallime partiake, për një votë sa më të konsoliduar në datën 25 Qershor.
“Ne të bëhemi bashkë në datën 25 Qershor, të përpiqemi jo vetëm ne që kemi këtu, por secili nga ne me motrat, vëllezërit, shokët, shoqet, kudo nëpër Shqipëri, kudo në qarkun Durrësit, të bëhemi bashkë, edhe ai që ka patur bindje të djathta, edhe ai që është i lëkundur, të bashkohemi për të patur një konsolidim të votës tonë”, u shpreh kandidatja Spahiu.





