Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun Durrës, Vangjush Dako, së bashku me kandidatët për deputetë, Klodjana Spahiu dhe Ledion Lako zhvilluan një takim me banorët e lagjes numër 3.
Dako kërkoi votën e banorëve të kësaj lagjeje për kryeministrin Edi Rama dhe Partinë Socialiste si e vetmja rrugë për të vijuar transformimin e vendit dhe ndërtimin e shtetit që të gjithë duam.
“Jam këtu për t’ju kërkuar votën për Edi Ramën, votën për numrin 2, votën për kandidatët e Partisë Socialiste sepse mendojmë që është e vetmja rrugë për të vazhduar transformimin madh të Durrësit, por edhe ndërtimin e shtetit shqiptar, ndërtimin e një shteti që të shkojë drejt Europës, drejt bashkimit Europian”, u shpreh Dako duke theksuar se “vetëm Edi Rama është njeriu i cili mund ta bëjë më mirë punën e kryeministrit. Dhe ky do të jetë principi i të gjithë prej nesh përpara se të shkojmë në votim”.
Nga ana e saj, kandidatja Spahiu u shpreh se “vota për Partinë Socialiste në datën 25 qershor, vota për numrin 2, është vota për të ardhmen e familjeve tona, është vota për gjithë ata të rinj që kanë ambicie të jetojnë në Shqipëri, të punojnë në Shqipëri dhe të investojnë për vendin e tyre”.





