Nuk ndalet Saimir Tahiri me sulmet ndaj LSI-së. Si një nga ish-ministrat më të sulmuar nga kjo forcë, edhe Tahiri nuk mbetet pas në kundërpërgjigje.
Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Tiranën, këtë herë e cilëson LSI-në si partiçkë që korrupton rininë me teza provimesh e punë sa për fushatë. Megjithëse nuk e përmend me emër, është lehtësisht e kuptueshme që i referohet LSI-së, si partia që ka kryefjalën e saj pikërisht të rinjtë.
“Në qoftë se voton për herë të parë, voto për shkollë e punë sipas meritës, jo partiçka që korruptojnë rininë me teza provimesh e punë sa për fushatë. Në qoftë se të premtojnë shkollë qyl, sapo të kanë korruptuar të ardhmen. Në qoftë se të premtojnë punë në këmbim të votës, sapo të kanë vjedhur të ardhmen ty e mijëra të rinjve që atë vend pune e meritojnë pa teserë partie në xhep. Më 25 voto për Shqipërinë që duam”, shkruan Tahiri.





