Kryetari i PS-së së Tiranës iu përgjigj në distancë akuzave të Ilir Metës, gjatë një takimi me banorë të Unazës së Re. Saimir Tahiri ishte i drejtpërdrejtë kur tha se socialistët ia dhanë mundësinë LSI-së në këtë mandat qeverisës të kthehej në një parti që mendon për problemet e njerëzve, por kjo nuk ndodhi.

“Më tha se kam qenë pa eksperiencë kur kam marrë detyrën e ministrit. Sigurisht ai është mendimi i tij dhe unë nuk dua të merrem me këtë.

Por sigurisht, një eksperiencë si ajo e Ilir Metës nuk doja kurrë ta kisha. Unë besoj që i kemi dhënë LSI-së në 4 vjet hapësirën e nevojshme për të treguar që mund të bënte ndryshe. I kemi dhënë mundësinë që të tregonte se mund, realisht të kthehet, në një parti normale që ka hallin e njerëzve, jo hallin e familjes.

I kemi dhënë mundësinë LSI-së që të vërtetonte përballë njerëzve dhe përballë kujtdo se mund të kthehet në një parti që ka merakun që ky vend të bëhet më i mirë, të ketë më pak korrupsion, të ketë ekonomi më të fortë, të ketë punësim për të gjithë, jo vetëm për ata që marrin teserën e partisë. E fatkeqësisht kjo nuk ndodhi. Fatkeqësisht kjo nuk ndodhi dhe kjo është arsyeja pse ne shkojmë vetëm në zgjedhje. Dhe kjo është arsyeja pse ne nuk duam të fitojmë me partiçka”,u shpreh Saimir Tahiri.  

Kreu i socialistëve të Tiranës, duke ftuar çdo zgjedhës të mos votojë me tifozllëk, theksoi se kjo është arsyeja pse më datë 25 qershor, PS-ja është e vetmja alternativë, për të qeverisur bashkë me qytetarët.

Saimir Tahiri shtoi se ka një ndarje të qartë mes partive në garën elektorale.

“Ne nuk jemi njëlloj miqtë e mi. Ne nuk jemi njëlloj. Nuk janë njëlloj ata që punojnë me ata që nuk punojnë. Nuk janë njëlloj ata që mendojnë të bëjnë diçka për vendin, për qytetarët, me ata që punojnë vetëm për familjet e tyre. Nuk mund të jetë njëlloj Luli me Saliun që kanë hallin të legalizojnë shtëpinë a partinë e vetë, me ne që mendojmë të legalizojmë çdo shtëpi e çdo pallat e t’i japim certifikatën e pronësisë çdo njeriu që ka një të drejtë të ketë pronën.

Nuk mund të jetë njëlloj ai që ka merakun të fusë djalin apo vajzën në punë, ne që punojmë që të hapim vende pune, me ata që kanë merakun që të jenë në punë vetë, dhe puna e atyre është gjithmonë kalaqafë popullit”, nënvizoi ish-ministri.