Zlatan Ibrahimoviç mund të jetë qershia mbi tortë e merkatos kuqezi. Sulmuesi i dëmtuar në Ligën e Europës me Mançesterin, pas zyrtarizmit të divorcit të tij nga “djajtë”, mund të rikthehet te Milani. Lajmi vjen nga Suedia, ku gazetarja vendase Xhenifer Vegerup lëshon bombën e radhës për merkaton kuqezi.Sipas emisionit të saj në valët e radios “TMW”, nëse Toti luajti deri në moshën 40 vjeç, diçka të tillë mund ta bëjë fare mirë edhe Ibrahimoviç, i cili po vijon shërimin me hapa të shpejtë pas dëmtimit të ligamenteve te gjuri i djathtë.Suedezi pa skuadër, por me një menaxher shumë të aftë si Mino Raiola, sigurisht që nuk do të vuajë për oferta të majme e klube prestigjioze, por ajo që mund ta sjellë drejt Milanit, përveç dashurisë të stërpërsëritur për kuqezinjtë, mund të jetë kontrata e një ylli që sapo ka lindur buzë Naviljos (lumi i Milanos).
Në fakt, prej javësh në “Casa Milan” është kthyer në çështje rinovimi i kontratës së Xhixho Donarumës. Edhe portieri, ashtu si shtatlarti nga Malmoe, ka menaxher Mino Raiolën dhe këtu gjithçka lidhet. Sipas gazetares Vegerup, pikërisht agjenti mund të përdorë kontratën e re të gardianit kuqezi si karrem për të “detyruar” krerët e “Djallit” të punësojnë Zlatan Ibrahimoviç.Dilemat që lidhin këtë transferim më shumë sesa të karakterit ekonomik kanë të bëjnë me atë fizik. Sa mund të përballojë gjuri i Ibrës? Po trupi i tij prej 35-vjeçari?Sikur të mos mjaftonin spanjollët e “Marca” që e shohin suedezin në kampionatin amerikan, duhet thënë se Milani i ri po ndërtohet mbi lojtarë të rinj dhe cilësorë e nëse mbi cilësitë e suedezit nuk ka dyshime, është forma e tij ajo që shqetëson.Vetë futbollisti ditën e djeshme publikoi një video ku tregoi se këpucët e futbollit i mbante veshur edhe në shtrat, çka flet qartë për objektivin e tij për t’u shëruar në kohë rekord. A do të mjaftojë gatishmëria e “Ibrakadabrës” për një rikthim të bujshëm, që duke parë statistikat, do t’i sillte Milanit trofeun e radhës?Po të varej nga tifozët, me siguri ata do ta prisnin krahëhapur, por përgjigjja e kësaj pyetjeje do të vijë nëpërmjet merkatos, ndërkohë që ajo e Raiolës pritet disi më shpejt, ndoshta që të martën, ku Donaruma duhet të bëjë publike nëse e ka pranuar ofertën për rinovim.





