Themeluesi dhe drejtuesi i Lëvizjes “Zgjidhja”, Koço Kokëdhima, i ka cilësuar rezultatet e sondazhit të Gallup për Shqipërinë një medalje turpi për klasën politike.

Përmes një reagimi, Kokëdhima thotë se e vetmja arritje e kësaj qeverie në këto 44 muaj është zbrazja e Shqipërisë nga njerëzit.

Në këto kushte, ai apelon qytetarët të bojkotojnë masivisht zgjedhjet e 25 qershorit.

Reagimi i plotë:

Bojkotoni zgjedhjet e 25 Qershorit!

Sondazhi i Gallup, medalja e turpit për këtë klasë politike!

Sot, 56 për qind e shqiptarëve duan të largohen nga vendi, po aq sa në Haitin e shkatërruar nga keqqeverisja dhe tërmeti. Është ironi e fatit të "luftosh" me Haitin për vendin e dytë në botë për të rriturit që duan të ikin në emigracion. Atje, si në kohën e diktatorit Dyvalje, njerëzit e thjeshtë tentojnë dëshpërimisht që të ikin me varka si refugjatë në SHBA. Ashtu si shqiptarët që nuk kanë lënë mënyrë pa përdorur që të ikin si azilantë ekonomikë në Europë. Kjo është medalja e turpit për këtë qeveri. Në 44 muaj ajo ia arriti që t'i bëjë shqiptarët që të vetmen shpresë të kenë ikjen nga sytë këmbët. Këtu, të lumtur janë vetëm një grusht njerëzish, kryetarët e partive dhe oligarkët rreth tyre. Ndaj ne i kemi shpallur luftë pa kompromis kësaj kaste sunduese që do të ishte e lumtur edhe sikur vendi të zbrazej plotësisht nga rinia, njerëzit e ndershëm e të zotë dhe forcat e afta për punë. Që të mos përfundojmë në këtë skenar apokaliptik për Shqipërinë, Partia ZGJIDHJA kërkon reagim nga të gjithë qytetarët, të bojkotojmë masivisht zgjedhjet e 25 qershorit, t’i japim një mesazh të qartë refuzimi kësaj elite politike që nuk përtërihet:

#Bojkoto Zgjedhjet që Vidhen

#Refuzo Listat e Kryetarëve

#Përmbys Oligarkët e Korrupsionit

#Jo Konçensioneve Antikombëtare

#Mjaft me Gënjeshtrat e Politikanëve

#Mos Lejo Braktisjen e Vendit

#Rrëzo Tiraninë e Skamjes dhe Krimit

#Shtet Për Popullin

Vetëm kur të përmbushim këto kërkesa në Shqipëri do fillojë të ketë vend dhe të ardhme të pranueshme për popullin! Nëse je i shtërnguar nga represioni qeveritar të marresh pjesë në zgjedhje, vendos nje Z të madhe mbi gjithë fletën e votimit që ta kthesh atë në një votë të qartë refuzimi!