Pas 12 vitesh ecejake mes Shqipërisë dhe Kanadasë, ish aktori i “Portokalli”, Genti Bejko, është zhvendosur me familjen në Kanada.
Në një intervistë në shkurt të këtij viti, Bejko u shpreh shumë i zhgënjyer nga realiteti shqiptar, duke parë si të vetmen formë transferimin drejt Kanadasë së largët. “Vend me batakçinj, nuk bën hajër me ndershmëri,” u shpreh Genti, që mbase është ndjerë më i vlerësuar pas ikjes.
Ai vetë ka bërë me dije se do të bëhet pjesë e një filmi, pjesë e të cilët do të jenë dhe emra të mëdhenj të kinematografisë si Jennifer Lawrence, Ed Harris, Michelle Pfeiffer etj.
Genti jeton në Montreal të Kanadasë dhe gjëja e parë që bëri sapo u transferua atje ishte gjetja e një agjenti që do ta orientonte drejt.
Ai u pranua në ACTRA (Alliance of Canadian Cinema, Television and Radio Artists) si anëtar me të drejta të plota, gjë që e ndihmoi dhe i dha një lloj prioriteti në kontratat filmike në vazhdimësi. “Mendoj se deri tani, duke pasur parasysh edhe moshën apo vështirësitë e gjuhës, jam ndjerë tejet i vlerësuar nga kolegët apo produksionet e këtushme,” është shprehur aktori.
Në listën e emrave të aktorëve, Genti Bejko gëzon titujt regjisor, aktor dhe skenarist, i njohur për filma si ‘6 Idiotët’ (2014), ‘The Cousin’ (2013) dhe ‘Mother’, projekti i tij i fundit, për të cilin ende nuk e dimë me siguri çfarë roli i është besuar. Filmi është një triller-horror psikologjik me skenar dhe regji nga Darren Aronofsky. Ai përqendrohet në një çift, që iu vihet marrëdhënia në provë kur miq të paftuar u vijnë në shtëpi. /Anabel.al