Thyerja e ligjit të disiplinës ushtarake pritet t’i kushtojë jo pak nënkampiones së Europës, Luiza Gega, në karrierën e saj paralele jashtë asaj sportive. Atletja shqiptare e angazhuar prej disa vitesh në Forcat e Armatosura në Policinë Ushtarake, ushtar i II, mori pjesë pak ditë më parë në kampionatin turk me ekipin e Fenerbahçes, megjithëse kërkesa e saj ishte refuzuar nga ana e Shtabit të Përgjithshëm.Por kjo shkelje do të jetë objekt i hetimit nga ana organeve disiplinore pranë Ministrisë së Mbrojtjes. Ditën e djeshme burime zyrtare pranë Ministrisë së Mbrojtjes konfirmuan se për rastin në fjalë do të mblidhet Komisioni i Disiplinës me mbërritjen e Gegës në Tiranë, i cili do të shqyrtojë çështjen.Më pas, i njëjti burim saktësoi se ky komision do t’i përcjellë raportin për atleten Luiza Gega Shtabit të Përgjithshëm, autoriteti që do të vendosë më pas edhe për masën disiplinore që mund të merret për atleten.

Në Ligjin për Disiplinën në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, shkeljet disiplinore janë të klasifikuara në tri kategori të lehta, të rënda dhe shumë të rënda.Në një verifikim që gazeta bëri të rregullores, dy pikat më të mundshme ku ky komision mund të marrë në shqyrtim përfshihen në shkeljet disiplinore të rënda, respektivisht pika l dhe ll, pra mungesa, mosparaqitja në shërbim/punë apo largimi nga vendi i shërbimit/punës, pa arsye të justifikuara deri në 5 ditë, për ushtarët dhe deri në 7 ditë për oficerët dhe nënoficerët; mosparaqitja në punë apo shërbim jashtë orarit të përcaktuar, kur i kërkohet nga eprorët e tij, pa arsye të justifikuara.Ndonëse masat disiplinore që pritet të merren nuk janë ekstreme, gjithçka do të merret vesh në ballafaqimin që Luiza Gega do të ketë me anëtarët e Komisionit të Disiplinës ku pritet të japë sqarime për këtë shkelje.Sipas Ligjit për Disiplinën në Forcat e Armatosura, ushtaraku, ndaj të cilit ka nisur procedimi disiplinor, ka të drejtë të parashtrojë prova dhe fakte në lidhje me pafajësinë e tij. Të drejtën për t’u dëgjuar dhe për të parashtruar prova e fakte ushtaraku e ushtron personalisht.Në muajin korrik të vitit të kaluar, nënkampionia e Europës do të nderohej me Medaljen e Mirënjohjes për kontributin dhe vlerat e veçanta në shërbim të lartësimit të figurës së ushtarakut të Forcave të Armatosura brenda dhe jashtë vendit.