Kryeministrja britanike Theresa May me gjasë do të rikonfirmohet në krye të Downing Street. Këtë vlerësim japin agjencitë e sondazheve në vendin ishullor të cilat flasin për një avantazh prej 7 pikë përqindje të May-t ndaj rivalit laburist Jeremy Corbyn. Sipas kompanisë së sondazheve YouGov, liderja e Konservatorëve pritet të marrë rreth 42%, kundrejt 35% të Corbyn-it.

Nëse vlerësimet do të rezultonin të sakta Theresa May do të rriste fuqinë në parlament me rreth 50 deputetë, pasi në legjislativin aktual Konservatorët kanë 36.9%. Të tjera sondazhe flasin për një epërsi edhe më të thellë të May-t, që shkon deri në 12%. Rreth 46.9 votues janë regjistruar për këto zgjedhje të parakohshme, pjesëmarrja është në rritje në krahasim me vitin 2015, ku votuan 46.4 milionë britanikë.

Një pjesë e votave janë regjistruar tashmë, përmes sistemit të votimit postar. Votat postare konsiderohen tejet të rëndësishme. 2 vjet më parë ato përbënin rreth 16.4% të elektoratit. Qendra e votimit që u hapën në orën 7 të mëngjesit, do të mbyllen në 22 me orën lokale.

Zgjedhjet e parakohshme u kërkuan nga kryeministrja May në muajin prill, për të pasur më shumë fuqi legjislative në zbatimin e Brexit. Ajo u përball me kritika edhe brenda partisë së saj, mbi negociatat e daljes së Britanisë nga Bashkimi Europian. Zgjedhjet parlamentare pritet të kenë ndikim edhe në vendimin e Skocisë, për të mbajtur ose jo referendum të ri për pavarësi nga Mbretëria e Bashkuar.  Sturgeon duke votuar

Britania e Madhe është totalisht e blinduar në këto zgjedhje. Edhe fushata zgjedhore u përqendrua te siguria kombëtare, pas tre sulmeve terroriste që goditën vendin në 3 muaj. Me rastin e zgjedhjeve nuk mungoi as satira e revistës së fort debatuar franceze “Charlie Hebdo”, e cila doli me kopertinën e kryeministres May me kokë të prerë.

Tensioni i zgjedhjeve përfshiu edhe ekipet e xhirimit të mediave britanike, të cilat kaluan deri në përballje fizike për vendin e parë.