Ronela Hajati dikur pati një ide të çmendur: të dilte në skenë në një arkivol.
Këngëtarja është e njohur për performancat ekzibicioniste, shumë prej të cilave i ka dhënë në skenën e “Këngës Magjike”. Megjithatë, ideja e saj për të dalë në skenë me një arkivol tek “Kënga Magjike” 2010, e tmerroi babanë e saj, të ndjerin Marash Hajati.
E ftuar në “INterview” me Kelvi Kadillin, Ronela Hajati tregoi se thuajse e kishte gjetur arkivolin për të performuar këngën “Harroje” kur Ardit Gjebrea i tha se nuk mund të dilte në skenë me një arkivol.
“Ka qenë një këngë që e kam patur me shumë përgjegjësi, sepse do të konkurroja tek “Kënga Magjike”. Unë aty në fakt kam dashur të dilja me një arkivol, madje edhe klipi prezantues është bërë në varrezat e Tufinës, dhe i kam futur çunat në gropë për të xhiruar.”, kujtoi Ronela.
“Në fillim Arditi e priti si ide, pastaj pas shumë vitesh mora vesh që babai im kishte ndërhyrë tek Arditi dhe i kishte thënë të mos më linte, sepse nuk i dihej ç’mund të ndodhte. Arditi nuk më tha gjë, e kam marrë vesh shumë më vonë. Unë ndërkohë po kërkoja një arkivol me qira.”
Ronela tregoi edhe një situatë shumë qesharake me burrin e agjencisë funerale, i cili kur i kishte kërkuar t’i jepte një arkivol me qira, kishte mbetur i shtangur.
“Kur i thashë atij [zotërisë së agjencisë funerale]: “Dua një arkivol”, u pataks. “E dua për veten”, i thashë, do të ta kthej prapë.” Më tha: “Çfarë merret këtu, nuk kthehet më.” I thashë se unë do t’ia ktheja.”
Megjithatë, Ronela bëri ç’bëri, e mori atë që deshi.
“Arditi nuk më la, dhe unë në moment të fundit u thashë çunave: “Unë o dal si e vdekur, o s’dal fare.” Shkuam të gjenim një shufër tek këta që tregtojnë materiale ndërtimi, pa i thënë asgjë askujt, askush s’e dinte ç’do të bëja në skenë. U vara aty dhe dola.”/Revista Anabel/