Rubini nuk ka nevojë për prezantim të veçantë, së bashku me diamantin dhe zafirin blu, kryesojnë listën e gurëve të çmuar. Rubini është guri i të lindurve në korrik dhe i përket të njëjtit grup mineralesh si zafiri: korindoneve.
Emri rubin rrjedh nga fjala “ruber” i kuq.
Kompozimi kimik i rubinëve

Rubini, ashtu si edhe zafiri, i përkasin një varieteti të ngjyrosur të mineralit të korindonit (një kristal i oksidit të aluminit). Janë gjurmët e elementëve si kromi, hekuri, titani që i japin ngjyrë. Kromi i jep rubinit ngjyrën e kuqe, ndërsa prezenca e hekurit krijon një tonalitet në ngjyrë kafe. Nëse gurët e kuq të korindonit quhen rubinë, ngjyrat e tjera të tij quhen zafirë.
Nxjerrja e Rubinit
Rubinët e Sri Lankës përdoreshin nga grekët e vjetër duke filluar nga viti 480 para erës sonë, duke qenë se Sri Lanka ka qenë burimi më i madh i këtij guri të çmuar, edhe pse origjina klasike e rubinit është ujëvara Mogok në Birmani.
Sot rubini nxirret edhe në Möng Hsu, në Birmaninë verilindore. Ky vend, falë ekzemplarëve me ngjyrë klasike dhe transparencës së thellë, konsiderohet ndër vendet e para në botë për nxjerrjen e këtij guri dhe për këtë arsye mbretërit e vjetër quheshin “zotëria i rubinëve”.
Vende të tjera të pasura me rubinë janë Afganistani, Kamboxhia, Kina, India, Kenia, Madagaskari, Mozambiku, Pakistani, Sri Lanka, Tanzania, Tailanda dhe Vietnami.
Historia e rubinëve

Rubini guri i të lindurve në korrik përfaqëson pasionin, dashurinë dhe romanticizmin.
Rubini ka qenë gjithnjë protagonist i miteve dhe legjendave. Indianët e vjetër besonin se rubini, kishte një zjarr të brendshëm që mund t’i jepte zotëruesve jetë të gjatë, ndërsa në Mesjetë besohej se kishte veti hyjnore dhe se ngjyra e tij errësohej para fatkeqësive.
Ndërsa në Birmani ky gur i çmuar përdorej kundër sëmundjeve, fatit të keq dhe plagëve. Rubinët quheshin “pika gjaku të tokës mëmë”.
Karakteristikat e rubinit

Rubini është një nga gurët më të çmuar, madje më i shtrenjtë se vetë diamanti, sidomos kur bëhet fjalë për gurë të pastër dhe me ngjyrë të kuqe të thellë. Rubinët e cilësisë së lartë dhe që janë veçanërisht transparentë, klasifikohen me siglën AAA. Por nëse guri është me dy ngjyra, psh i kuq në të purpurt, apo në portokalli, në këtë rast rubini nuk ka më shumë se 80 % pastërti. Rubinët që nuk kanë papastërti brenda kristalit janë pothuajse të pamundur të gjenden. Ekzaktësisht si në rastin e aleksandritit dhe smeraldit edhe tek rubini është kromi përgjegjës për inkluzionet brenda strukturës së kristaltë.
Llojet e rubinit
Rubini i tanzanisë AAA josh me pastërtinë e tij unike dhe fakti që është i rrallë ia shton edhe më shumë vlerën.

Një alternativë më ekonomike është rubini i Madagaskarit.

Rubinët mund të paraqiten me efekte të ndryshme optike si psh asterizmi, gur me vija në formë ylli, apo efektin e syrit të maces.

Si rubinët “yll” ashtu edhe ato me efektin e “syrit të maces”, priten në formë konvekse që e bën efektin e tyre të veçantë edhe më të dukshëm. Shikoni në fotogalerinë e mëposhtme se si ky gur gjen përdorim të gjerë në bizhuteri.
R.O.





