Paraditen e kësaj të shtune startoi në Durrës edicioni i parë i Festivalit të Shahut “Teuta Chess Festival Open”.
Aktviteti sportiv, i organizuar nga Akademia e Shahut Teuta bëri bashkë shahistë të të gjitha grupmoshave, duke nisur nga më të vegjlit U-8, U-10, U-12 e deri tek të rriturit e afirmuar edhe në kampionate kombëtare dhe ndërkombëtare.
Esmeralda Babamusta, presidente e shoqatës “Akademia e shahut Teuta” tha për “DurrësLajm” se është bukur të shohësh së bashku jo vetëm shahistët e ekipeve shqiptare dhe atyre nga Kosova, Mali i Zi, apo Maqedonia e Veriut, por edhe ata që vijnë nga vendet e largëta si Finlanda, Ukraina etj duke e kthyer këtë jo më në një festival rajonal, por ndërkombëtar.
Për dy ditë me radhë, rreth 200 shahistë, të ndarë sipas kategorive respektive do të garojnë mes tyre për të përzgjedhur më të mirët e turneut.
Ky është i disati aktivitet masiv që po zhvillohet në Durrës dhe sipas nënkryetarit të bashkisë, Gentian Kallmi, mbështetja që institucioni i qeverisjes lokale i jep këtyre eventeve është për faktin se ato synojnë ta kthejnë qytetin bregdetar jo vetëm në një pol të turizmit, por edhe të sportit.
Ndër vite, Durrësi ka nxjerrë mjeshtra ndërkombëtarë të shahut si Fatos Muça apo Erald Dervishi, por sipas trajnerit Lorenc Rama edhe këta sportistë të vegjël që garojnë mes tyre premtojnë shumë për të ardhmen.
M.B.





