Ish-kreu i LSI-së Ilir Meta, ka vlerësuar punën e Ministrave të kësaj force politike në rrugëtimin katërvjeçar qeverisës.

I ftuar në “Debati në Channel One” të gazetarit Roland Qafoku, ai tha se Ministrat e LSI kanë punuar në një ambjent aspak miqësor dhe se Rama nuk është sjellë si Kryeministër i gjithë koalicionit.

Meta, në katër vjet LSI kishte pesë ministri, si pjesë e kabinetit të z. Rama, por ndërroi 8 ministra. Në Ministrinë e Drejtësisë z. Naço, Manjani, z. Vasili; në Ministrinë e Integrimit Klajda Gjosha, Ministër i Bujqësisë, Edmond Panariti, Ministri i Transportit, Edmond Haxhinasto e Sokol Dervishi, dhe Ministër i Mjedisit, Lefter Koka. A ka mundësi të bëni një vlerësim për të gjithë ministrat e LSI-së, në dikasteret që ata kanë drejtuar?

Nuk kam ndërmend të bëj ndonjë vlerësim për ministrat, për arsye se, të them të drejtën, ata kanë punuar në një ambient jo miqësor, formalisht miqësor. Ata kanë qenë gjithmonë të paragjykuar. Ne kemi bërë marrëveshje që z. Rama të sillej si Kryeministri i gjithë koalicionit, por është fakt që ai nuk është sjellë në këtë mënyrë.

Pse, çfarë ka bërë ai, që s’është sjellë?

Janë të shumta veprimet e format me të cilat ai është përpjekur të anashkalojë ministrat e LSI-së, edhe kur ata kanë pasur detyrime kushtetuese, kur kanë pasur detyrime ligjore; se si ka ndërhyrë për të bërë ndryshime në strukturat e këtyre ministrive, për arsye të ngushta partiake, jo për arsye të reformave. Megjithatë, pavarësisht nga të gjitha këto, unë mendoj se ata kanë qenë ministra tepër të përgjegjshëm, tepër korrekt.

Natyrisht, Klajda Gjosha shkëlqen gjithmonë me integritetin e saj, dhe është një tregues se mund t’i besohet një vajze të re, një gruaje të re, jo vetëm një post i tillë, por në këtë mënyrë mund t’u jepen përgjegjësi edhe shumë të rinjve që kanë studiuar jashtë e janë kthyer në vend, që kanë një kulturë evropiane, për të pasur një rol edhe më protagonist në politikë.

Respekti është për të gjithë njësoj. Nuk ndaj dot asnjë, por natyrisht, duke qenë se kemi një grua të re, jemi të lumtur që ajo ka realizuar një performancë të shkëlqyer dhe është një kontribut për t’u dhënë shansin edhe shumë grave të tjera në të ardhmen, për të marrë detyra e përgjegjësi më të mëdha.

Kam një pyetje të tillë: z. Meta, pse ishte ai shkarkimi i z. Naço? Nuk e kam kuptuar asnjëherë, nuk e kam marrë vesh asnjëherë.

Është një dorëheqje, gjë shumë e thjeshtë, një dorëheqje,

A dha impuls largimi i tij?

Po, mendoj se dha, aq sa dha.

Cili është mendimi juaj për punën që ka bërë z. Koka, si ministër i Mjedisit?

Mendoj se ka bërë përpjekje maksimale në punën e tij, për atë mbështetje që ka pasur.