Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes  njëherësh kandidate për deputete në Qarkun Durrës, Milva Ekonomi, së bashku me kandidatët socialistë për deputet Alban Ramohitaj dhe Ledion Lako, zhvilluan një bashkëbisedim me kontabilistët e Durrësit.

Në fjalën e saj, Ekonomi bëri një pasqyrim të reformave ekonomike të ndërmarra nga qeveria gjatë këtyre katër viteve duke e vënë theksi te vendimi i qeverisë për shlyerjen e borxheve për bizneset por edhe aksionin për t'i dhënë fund informalitetit në ekonomi.

“Meqë ju vini nga fusha e ekonomisë dhe kontabilitetit duhet të kuptoni se gjëja me e rëndësishme që qeverisja e katër viteve të fundit ka bërë është larja e borxheve. Ato pagesa që iu bënë biznesit për të operuar më mirë kanë qenë shumë të rëndësishme. Ne ndërmorëm disa reforma ku e para është reforma e luftës kundër informalitetit për sektorin tuaj. Ne gjithashtu u përpoqëm të lehtësonim mënyrën si biznesi komunikonte me administratën, nëpërmjet bashkimit të dy qendrave të rëndësishme që ishin QKL dhe QKR që krijuam QKB dhe aty vendosëm disa rregulla për të lehtësuar procedurat. I kushtuam vëmendje e-taksës që pagesa e taksës dhe raportimi të bëhej në mënyrë shumë të lehtë online”, u shpreh Ekonomi.

Përsa i përket mandatit të dytë, ministrja Ekonomi theksoi se do të vijohet me tatimin progresiv, në mënyrë që kush merr më shumë do paguajë më shumë dhe kush merr më pak do paguaj më pak. Ekonomi tha se në mandatin e dytë qeveria ka parashikuar uljen e tatimit mbi dividentin nga 15% në 6%.

“Ne do të vazhdojmë të mendojmë për tatim progresiv. Tatim progresiv do të thotë që ai që merr më shumë duhet të paguajë më shumë dhe ai që merr më pak të paguajë më pak, por tatimi progresiv mbi të ardhurat personale që shkojnë përtej 23 %, tani do zbresë në 18 %. E dyta tatimi mbi dividentin që e kemi pasur në 15% dhe do të shkojë në 6%. E treta është tatimi mbi kompanitë e teknologjisë së informacionit. Për ato kompani që kanë bërë investime në teknologjinë e informacionit tatimi mbi fitimin e tyre do jetë 5%. Dhe e katërta, për ato familje të reja që marrin kredi për shtëpinë e parë, do ketë njohje të shpenzimeve të zbritshme të interesave të kredisë”, bëri të ditur Ekonomi.