Ministri teknik i Drejtësisë, Gazmend Bardhi, shkarkoi sot mes 8 zyrtarëve të lartë që akuzohen se kanë marrë pjesë në fushatë, dy drejtorë të rëndësishëm në Durrës.

Kështu u shkarkuan dhe po ndiqen penalisht Ani Dyrmishi, regjistruesi i Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Durrës dhe Surin Hoxha, kryetari i Zyrës së Përmbarimit Gjyqësor.

Duket se ministri teknik i propozuar nga Basha ka ndëshkuar si përfaqësuesit e PS, ashtu edhe ata të LSI-së në Durrës.

E ndërsa drejtori i Hipotekës në Durrës, Dyrmishi njihet si eksponent i së majtës, më parë ka mbajtur postin e drejtorit rajonal të FSDKSH-së, DurrësLajm mëson se kreu i Përmbarimit, i shkarkuar nga puna është kunati (vëllai i gruas) i Ministrit të Mjedisit Lefter Koka, numrit 1 të listës së LSI në qarkun e Durrësit.  

Me shkarkimet e tij sot, Ministri Bardhi u përqendrua në sistemin e burgjeve dhe atë të hipotekës, ku rezulton numri më i lartë i drejtorëve të shkarkuar.