Imazhi i një personi përbëhet nga zëri, po aq sa edhe nga paraqitja. "Bright Side" shpjegon se si mënyra e të folurit ndikon në perceptimin e të tjerëve për ne.
1- Zë i ‘sheqerosur’
Të gjithë e kemi hasur këtë zë si të kartonave të animuar. Dikush që flet në këtë mënyrë mendon për veten se është i ëmbël, por dëgjuesit krijojnë përshtypjen se personi në fjalë është hipokrit, apo që kërkon diçka nga ato. Kjo mënyrë e të folurit shkakton mungesë rehatie dhe e shtyn dëgjuesin t’i japë fund sa më shpejt bisedës.
2- Zë strikt me tone ‘çeliku’
Një zë i hekurt është zakonisht karakteristë për njerëzit puna e të cilëve është e lidhur me dhënien e komandave (mësues, shef, ushtarakë). Ata thjesht duhet të flasin në këtë mënyrë, por shpeshherë ky është një tipar i atyre që u pëlqen të japin urdhra.
3- Zë i qetë
Ka shumë arsye pse njerëzit flasin me qetësi. Ata mund të jenë të pasigurtë, ose të ndihen paksa të humbur në grup. Ata mund të jenë të lodhur nga jeta dhe të ndihen pa energji.
Zakonisht një zë shumë i qetë dhe i ulët është i vështirë të kuptohet dhe kjo është shumë irrituese.
4- Zë më i lartë seç duhet
Mund të duket sikur zëri i lartë është një shenjë vetëbesimi, por pas një zëri të tillë shpesh fshihen pasiguri dhe frikë se zëri nuk do të dëgjohet. Ka edhe një tjetër teori sipas së cilës njerëzit që flasin me zë të lartë, janë rritur në familje të mëdha, ku kanë qenë të detyruar të flasin me zë të lartë që të mund të dëgjoheshin.
5- Zë i ngadaltë
Ka disa arsye pse njerëzit mund të flasin ngadalë. Ata duan të jenë të sigurtë që nuk do të gabojnë, ose ndoshta janë arrogantë dhe duan të tërheqin vëmendje me fjalët e tyre, pavarësisht faktit se dëgjuesin mund ta vënë në gjumë. Ndonjëherë ligjërata e ngadaltë është shenjë depresioni, stresi, zemërimi ose lodhjeje.
6- Zë i shpejtë
Ata që flasin shpejt janë zakonisht tipa gjaknxehtë dhe reagojnë ndaj gjithçkaje po aq shpejt sa flasin. Ata mund të jenë gjithashtu të pasigurtë nëse të tjerët po i dëgjojnë dhe duan ta mbarojnë sa më shpejt fjalimin e tyre. Po ashtu si folësit me zë të lartë, edhe ata që flasin shpejt mund të jenë rritur në familje me shumë persona, ku iu është dashur të flasin shpejt, që të mbaronin pa u ndërprerë nga pjesëtarët e tjerë të familjes.
Të folurit shpejt mund të tregojë gjithashtu se personi në fjalë është i zemëruar ose i stresuar.
7- Zë i lartë dhe kumbues
Ky lloj zëri është karakteristik i të rinjve. Ata që flasin në këtë mënyrë mund të konsiderohen të pafat në karrierë, pasi eprorët mund t’i shohin si të papjekur për t’u promovuar. Përveç faktorit gjenetik, një timbër i lartë mund të vijë si pasojë e luhatjeve emocionale.
8- Zë i ulët
Një zë bariton mashkulli është shumë tërheqës për femrat dhe po ashtu edhe femrat që flasin me zë të ulët janë shumë tërheqëse për meshukujt. Një timbër i tillë është i këndshëm dhe ju bën të dukeni edhe autoritarë. Disa njerëz e ulin zërin qëllimisht, që të duken më tërheqës.
9- Zë qëllimisht sensual
Kur ju dyshoni se dikush po tenton t’ju joshë me zërin e tij/saj, me siguri diçka e tillë po ndodh. Në këtë rast mos harroni të shikoni edhe gjuhën e trupit, që është e rëndësishme për të kuptuar.
10- Zë linear dhe pa emocione
Zëri i njëtrajtshëm dhe pa emocione mund të nënkuptojë se personi që po ligjëron ka vetëvlerësim të ulët, ose nuk beson vërtet tek ajo që thotë. Gjithashtu kjo mënyrë e të folurit mund të tregojë humor të keq ose lodhje. Personi që flet në këtë mënyrë ndoshta përpiqet të japë më të mirën pa shfaqur zemërim apo ankth, ose thjesht tregon se folësi nuk është i interesuar për ato që thotë, por e ka mendjen diku tjetër.
11- Zë hundor
Ky lloj zëri padyshim që nuk vjen nga faktorë psikologjikë. Njerëzit që flasin me hundë zakonisht ankohen për këdo dhe çfarëdo. Gjithashtu ata njihen si manipulues të të tjerëve.
Përshtati: R.O.





