Agron Shehaj, kandidat për kryetar i Partisë Demokratike në zgjedhjet e brendshme që do të zhvillohen më 13 qershor, këtë të diel, ka zhvilluar një takim me demokratët e Njësisë 11 në kryeqytet.

Gjatë fjalës së tij, ai ka thënë se në Evropë, kur lideri humbet zgjedhjet, ai jep dorëheqjen. Shehaj i është referuar kreut aktual të PD-së, Lulzim Basha, i cili pavarësisht se ka humbur 3 herë zgjedhjet, nuk ka dhënë dorëheqjen po vazhdon të qëndrojë në parti.

“Në Evropë kur lideri humb jep dorëheqjen. Nuk ka diskutim. Jep dorëheqje. E treta ka të bëjë gjithmonë me anëtarësinë, ka të bëjë me platformën online, për të pyetur anëtarësinë mbi çështje të caktuara, mbi çështje për partinë”,- tha Shehaj.

Ai tregoi përpara qytetarëve vizionin e tij mbi të ardhmen dhe si e shikon ai kauzën opozitare për të rrëzuar qeverisjen në pushtet. Roli i anëtarësisë, nëpërmjet referendumeve dhe zgjedhjen e kandidatëve, janë disa nga ndryshimet që PD sipas Shehajt do të marrë, nëse ai vjen në krye.