Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Qarkun Durrës, njëherësh kryetari i Bashkisë, z.Vangjush Dako, së bashku me kandidatët socialistë për deputetë në këtë qark, z. Fidel Ylli, z.Jurgis Çyrbja dhe z. Alion Hysko zhvilloi një takim me banorë të zonës së Shkallnurit, njësia administrative Rrashbull.

Në fjalën e tij, z. Dako, theksoi se gjatë këtij mandati qeverisës janë shënuar një sërë arritjesh duke nënvizuar se kjo është e para qeveri që sakrifikoi pushet për të bërë shtet.

“Në këto katër vite të qeverisjes së Partisë Socialiste, nën drejtimin e Edi Ramës, juve jeni të vetëdijshëm që janë bërë shumë punë të mira, jo vetëm për Durrësin por për gjithë Shqipërinë. “Qeveria Rama” është e para qeveri e cila ka thyer tabutë, ka nisur rindërtimin e shtetit duke sakrifikuar pushtet për të bërë shtet”,u shpreh z. Dako.

Duke sjellë në vëmendje investimet e bëra në Bashkinë e Durrësit, falë edhe mbështetjes së qeverisë, kryebashkiaku Dako bëri të ditur se gjatë këtyre katër viteve të fundit Bashkia që ai drejton ka marrë fonde nga qeveria qendrore aq sa kjo Bashki nuk i ka marrë në 25 vite të marra së bashku.

“Ju jeni dëshmitarë të transformimeve të mëdha që kanë ndodhur në qytetin e Durrësit vetëm me kaq pak kohë që kemi punuar me qeverisjen tonë. Po vazhdojmë në këtë drejtim duke kryer punë të mira në dobi të komunitetit. Pushteti vendor këtë radhë ka mbështetjen e një force politike e cila është e orientuar drejtpërdrejtë tek qytetarët. Unë do t’ju theksoj që kemi marr fonde nga qeveria shqiptare në këto katër vite aq sa nuk ishin marrë në Bashkinë e Durrësit për 25 vjet. Vetëm në këto katër vite qeveria Rama i ka dhënë jo vetëm Bashkisë së Durrësit po të gjithë Bashkive të Shqipërisë kaq shumë fonde që kanë bërë të mundur investime dhe i kanë ndryshuar faqen të gjitha qyteteve”,deklaroi drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun Durrës, z. Vangjush Dako.