Agron Duka, kreu i PAA-së në një takim në Ishëm të Durrësit, ironizoi veshjen dhe sjelljen e kryeministrit gjatë fushatës. Ai u shpreh se ato që Rama thotë në mitingje për gratë nuk na shkojnë për shtat.

“Nuk besoj se ka njeri sot që mund të jetë i kënaqur ekonomikisht nga qeverisja e Edi Ramës. Kushdo që ka qeverisur përpara nuk mund të krahasohet me këtë lloj qeverisje. Jo vetëm ekonomikisht që është shkatërruar, por ajo që ne na lëndon është edhe arroganca e tij, mënyra e sjelljes.

Një burrë që del me tuta, shkon e jep certifikatat e legalizimeve a thua se i ka të shtëpisë së tij. Për më tepër që tallet me ne dhe u thotë grave kur vijnë në mitingje 'dëgjo ti, shko tako burrin tënd, por mund të takosh edhe komshiun'. Këto janë gjëra që nuk na shkojnë për shtat”, tha Agron Duka.