PDIU hap fushatën në qytetin e Durrësit.

Shpëtim Idrizi i është drejtuar një nëne çame duke i kërkuar me përulje të çohej në këmbë për të parë se sa shumë janë në atë sallë për të çuar në vend amanetin e të parëve, zgjidhjen e çështjes çame e për t'i thënë gjithë Shqipërisë se kemi “veç një atdhe”.

Në këtë moment Idrizi ndërpreu fjalimin për të takuar gruan e moshuar.

Idrizi premtoi se PDIU do të jetë një grup parlamentar i dyfishuar pas zgjedhjeve të 25 qershorit duke veçuar se do të jetë një grup parlamentar që do të mbahet mend gjatë jo vetëm për kontributin për çështjen e Çamërisë, por për kontributin e madh që do të japë për Durrësin, Elbasanin, Tiranën, Dibrën Vlorën, Shkodrën, Tropojën e gjithë Shqipërinë.

“PDIU do të jetë një parti me grup parlamentar që do t’i japë frymën e fytyrën e vet atij parlamenti e do të bëjë presion çdo qeverie për të qenë më e ndjeshme e më e ndershme për qytetarët shqiptarë. Ju ftoj të votoni PDIU, dhe jam i bindur për mbështetjen tuaj për PDIU, e ku më shumë se në qytetin e Durrësit, një qytet që ka qënë gjithmonë larg dasive, ku ne, popullsia e Çamërisë, gjetëm portat e hapura. Jam i bindur se Krenari, i cili mund të jetë nesër deputet, do të jetë jo vetëm i PDIU-së por i të gjithë durrsakëve për të gjitha hallet e tyre”, tha Idrizi.