Kombëtarja shqiptare e futbollit do të zhvillojë dy ndeshje muajin qershor. Fillimisht miqësoren me Luksemburgun, pastaj eliminatoren me Izraelin. Trajneri De Biazi nuk e ka shpallur ende listën e lojtarëve, që do të ketë “nën armë” për këtë “ekspeditë”, gjë që pritet ta bëjë shpejt, sepse kampionatet kanë mbaruar dhe lojtarët kuqezinj janë të lirë. Disa prej tyre, madje, kanë filluar stërvitjen në Tiranë, ndërkohë që me grupin e plotë, programi i përgatitjeve do të jetë i detajuar. Burime pranë stafit kuqezi bëjnë me dije se do të rikthehet Ergys Kaçe, mesfushori shqiptar i PAOK-ut, i cili ka munguar në disa ndeshje, pas një përplasjeje që pati me trajnerin kuqezi (para ndeshjes me Maqedoninë, në Shkodër).

Shtatshkurtëri korçar do të zërë vendin e një tjetër “gjakprishuri”, si Taulant Xhaka, i cili, po ashtu, pati përplasje me De Biazin në sfidat e fundit eliminatore. Kësisoji, trajneri i kombëtares duket se e ka “bërë dalje” lojtarin e Bazelit, kampion i Zvicrës, titullar i padiskutiueshëm me skuadrën e tij. Nën urdhërat e De Biazit pritet të jetë edhe Ermir Lenjani, që ka munguar, për shkak se nuk ka pasur praktikë loje me skuadrën respektive. Kujtojmë se më 4 qershor, kuqezinjtë do të testojnë veten me Luksemburgun, para sfidës delikate kualifikuese të “Botërorit 2018”, të cilën do ta luajnë më 11 qershor, në fushën e Izraelit. Një ndeshje që mund të vendosë shumë për fatin e edicionit të Shqipërisë dhe vetë trajnerit De Biazi si trajner. Pas 5 ndeshjesh në Grupin G, kombëtarja jonë mban vendin e katërt, me 6 pikë, duke lënë pas vetëm Maqedoninë dhe Lihtenshtejnin. Bashkëkryesojnë Spanja dhe Italia, me nga 13 pikë secila.