Presidenti i Mançester City, Khaldon Al Mubarak, pranon se renditja në vend të tretë e Pep Guardiolës në sezonin e tij të parë në “Emirates” nuk ka asgjë për të festuar dhe premton se klubi do të vazhdojë të investojë pas dy goditjeve të para të kësaj vere, portierit të Benfikës, Ederson (35 mln £, kreu dje vizitat mjekësore) dhe Bernardo Silvës (43 mln £) nga Monako.
“Nuk ka asgjë më acaruese sesa telefonatat dhe mesazhet që më vijnë nga njerëzit për të më uruar vendin e tretë. Përgjigjja ime ka qenë thuajse standarde për të gjithë: ‘Mos më uroni. Bëjeni vetëm nëse fitojmë titullin’. Nuk ka asgjë për të uruar. Tranzicioni ka nisur që vitin e shkuar, duke sjellë shumë talent dhe freski në skuadër.Sane është një prej talenteve më të mira në Europë. Stons është vetëm 22 vjeç, por do të bëhet një prej qendërmbrojtësve më të mirë në botë. Nuk kam asnjë dyshim për këtë. Është një lojtar klasi. Gabriel Zhezus është vetëm 19 vjeç dhe është një prej talenteve më të mëdha sot në botë.Mjafton të shikosh këta tre shembuj për të kuptuar çfarë bëmë një vit më parë dhe çfarë presim të bëjmë këtë verë. Do vazhdojmë të blejmë disa prej talenteve më të mira në botë edhe këtë vit. Cikli që nisi verën e shkuar do të vazhdojë edhe këtë verë. Na duhen dy mbrojtës krahu. Pep e ka shumë të rëndësishëm këtë sektor. Shpresojmë të afrojmë lojtarët që ai ka nevojë”, tha presidenti për kanalin e klubit.