Pasi ngriti në duar trofeun e Ligës së Europës me Manchester United, Paul Pogba ka filluar pushimet me një udhëtim në Mekë, duke nisur muajin e Ramazanit nga ky vend i shenjtë. Vizita në Arabinë Saudite vjen vetëm tri ditë pas fitores ndaj Ajax, në Stokholm. Ndërkombëtari francez përdori instagramin e tij për një postim, në të cilin zbulon edhe “ekspeditën” e veçantë që ka ndërmarrë: “Në rrugën time për të thënë faleminderit për këtë sezon. Shihemi së shpejti në Manchester! Gjatë rrugës, për lutjet e mia”.
Në postim ka hedhur edhe një video, ku Pogba shfaqet i veshur me të bardha, duke njoftuar nisjen e muajit të shenjtë të Ramazanit, si pjesë e besimeve të tij muslimane. 24-vjeçari shënoi golin e parë të Manchester Unitedit në fitoren 2-0 kundër Ajax, në “Friends Arena”, të mërkurën e kaluar.