Pasi u shpall matematikisht kampione një javë më parë, duke shkurorëzuar Skënderbeun, Kukësi mori edhe formalisht titullin në Gjirokastër. Presidenti Safet Gjici dhe kapiteni Rrahman Hallaçi ngritën trofeun historik.As humbja 1-0 përballë Luftëtarit, që prishi pathyeshmërinë e veri-lindorëve në këtë kampionat nuk e prishi festën për trofeun.
Me bluza të personalizuara për suksesin në sezonin 2016-2017, lojtarët zhvilluan paradën e fituesve.Trofeu ishte mbi të gjitha i trajnerit Ernest Gjoka, që e kërkoi me ngulm jo vetëm gjatë gjithë sezonit, por edhe në momentin e festës, për të shkrepur një fotografi me vajzën, e cila e ka ndjekur në çdo stadium.
Më pas ishte radha e protagonistëve të vërtetë, lojtarëve, ta shijonin kupën, duke e kaluar dorë pas dore, për një kujtim të paharrueshëm për të gjithë.Gjithçka mund të kishte qenë në nivelet e perfektes, por penalltia e Kariokës e shkaktuar ndaj Rexhinaldos ishte ajo që vendosi sfidën në minutën e 11-të, me Dejvi Bregun që nuk gaboi nga pika e bardhë.
Me titullin të siguruar, Kukësi u shfaq shumë larg paraqitjeve më të mira.Skuadra provoi me të gjitha mënyrat të barazonte rezultatin, por golashënuesi më i mirë i kampionatit, Pero Pejiç mbi të gjithë, i ndjekur me radhë nga Izair Emini, Kale apo Dvornekoviç nuk arritën të thyenin portierin Ruci.
Në fund, Kukësi nuk arriti ta mbyllte kampionatin pa humbje, për tu renditur përkrah skocezëve të Celtic, të cilët mbetën skuadra e vetme në Europë që nuk e njeh humbjen në këtë edicion. Megjithatë, objektivi kryesor u realizua.Festë kishte edhe te Luftëtari, që e mbylli Kategorinë Superiore në vendin e katërt dhe tashmë shpreson të sigurojë një biletë të merituar për në Europa League dhe do të bëjë tifo që Skënderbeu të fitojë Kupën e Shqipërisë.