Dako: Qeveria e fokusuar tek rritja e punësimit dhe mirëqenies

Drejtuesi politik i Partisë Socialiste, njëherësh edhe kryetari i Bashkisë Durrës, Vangjush Dako, i shoqëruar edhe nga ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, njëherësh edhe kandidatja për deputete e Partisë Socialiste për qarkun Durrës, Milva Ekonomi, vizituan një prej rrobaqepësive në zonën e Shkozetit.

Sot ky biznes me rreth 100 punëtorë që prodhon për tregun vendas, ka rritur ndjeshëm kapacitetet e tij prodhuese, duke shkuar në rreth 200 artikuj, teksa ka shtuar edhe numrin e të punësuarve.

Duke sjellë në vëmendje reformat e ndërmarra nga qeveria në mbështetje të biznesit vendas, Dako theksoi se kjo politikë do të vijojë edhe në mandatin e dytë.

“Me mbështetjen e Partisë Socialiste, unë si kryetar Bashkie kam bërë shumë punë dhe do të vazhdoj të kem mundësi të bëj më shumë, duke thithur fonde, duke thithur investime nga qeveria qendrore për të bërë punë të mira për Durrësin”, tha kryebashkiaku.

Nga ana e saj, ministrja Ekonomi theksoi se gjatë këtyre tre viteve është bërë shumë, por akoma më shumë do të bëhet në mandatin e ardhshëm.

“Është shumë e rëndësishme që ne në këto vite që vijnë, në këtë të ardhme të afërt, të kemi një besim dhe besimi është që do shkojë përpara zhvillimi ekonomik i vendit. Ne u përpoqëm në këto tre vjet të bëjmë shumë, do përpiqemi edhe më shumë sepse nuk ka mbaruar e gjithë gjëja që ne duam të bëjmë për Shqipërinë. Ne besojmë se me një shtet të fuqishëm bëhet shumë, ne besojmë që shteti duhet ti sjelli njerëzve punë dhe puna duhet ti sjelli njerëzve mirëqenie”, nënvizoi Ekonomi.