Në Qendrën Ndërinstitucionale Operacionale Detare në Durrës është zhvilluar një ceremoni për promovimin e broshurës së re, e treta e këtij lloji, e përgatitur në sajë të projektit IPA 2013, e cila përkon edhe me 7-vjetorin e krijimit të këtij institucioni.
Pjesëmarrës në këtë aktivitet ishte drejtoresha e përgjithshme e kufirit detar, gjeneral Dogjani, përfaqësues të Guarda di Finanzia etj.
Drejtori Administrativ i QNOD-së, Zyber Dushku, në fjalën e tij tha se Qendra Ndërinstitucionale Operacionale Detare filloi aktivitetin e saj 7 vjet më parë për të garantuar ushtrimin e sovranitetit dhe të drejtave të shtetit shqiptar në hapësirën detare.
Ndërsa eksperti i policisë së shtetit italian për Shqipërinë dhe Kosovën, Giuseppe Colasanto, në fjalën e tij përshëndetëse u shpreh se QNOD në Durrës është një institucion i rëndësishëm për monitorimin e hapësirës detare ashtu si dhe koordinimin e aktiviteteve të të gjitha strukturave ligjzbatuese në det.
Ndaj dhe bashkëpunimi me vendet e ndryshme fqinje dhe misionet e akredituara në Shqipëri kanë një ndikim të dukshëm në përmirësimin e performancës dhe efikasitetit të këtij institucioni në realizimin e misionit të tij.
K.H.





