Tre persona janë arrestuar në Elbasan në kuadër të operacionit antidrogë të koduar “Roli”, pasi dyshohet se përgatisnin dhe shisnin doza kokaine dhe Cannabis Sativa.
Sipas policisë, një 18-vjeçar e kryente veprimtarinë në lokalin ku punonte si kamerier dhe në banesë, në bashkëpunim me vëllanë e tij dhe personin që kishte marrë me qira lokalin në fshatin Mjekës.
Gjatë kontrolleve, policia sekuestroi dhjetëra doza lëndësh narkotike, 6 grirëse, 3 peshore elektronike, 2 celularë dhe një shkop metalik.
Njoftimi i policisë:
Përgatiste dhe shiste doza Kokaine dhe Cannabisi, në lokalin ku ishte i punësuar si kamerier, dhe në banesë, bashkë me vëllanë, arrestohet 18-vjeçari.
Gjithashtu në pranga, vëllai i 18-vjeçarit dhe shtetasi që kishte marrë me qira lokalin e përshtatur për këtë veprimtari kriminale.
Sekuestrohen dhjetëra doza të lëndëve narkotike, 6 grirëse materiali bimor, 3 peshore elektronike, 2 celularë dhe 1 shkop metalik.
Si rezultat i veprimeve intensive hetimore dhe operacionale, të kryera nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale të Hetimit, dhe të drejtuara nga Prokuroria e Elbasanit, me qëllim dokumentimin e veprimtarisë kriminale të 3 shtetasve, të cilët në bashkëpunim, shitnin lëndë narkotike, në doza, u finalizua operacioni i koduar “Roli”.
Gjatë operacionit u konstatua se një lokal në fshatin Mjekës, ishte vënë në dispozicion të përgatitjes, ndarjes në doza dhe shitjes së lëndëve narkotike Kokainë dhe Cannabis Sativa.
Në vijim të veprimeve procedurale u arrestuan shtetasi që kishte marrë me qira lokalin dhe kamerieri, D. R., 26 vjeç dhe L. Q., 18 vjeç, të dy banues në fshatin Mjekës. Nga kontrollet në ambientet e lokalit u gjetën doza të këtyre lëndëve, si dhe mjete që shërbenin për përgatitjen e dozave.
Më tej, u krye kontroll në banesën e 18-vjeçarit, ku u gjetën sasi dhe doza të lëndës së dyshuar narkotike Cannabis Sativa, si dhe një shkop metalik, që dyshohet se posedoheshin nga vëllai i 18-vjeçarit, shtetasi E. Q., 24 vjeç, i cili në përfundim të veprimeve procedurale u arrestua për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.





