Një bandë shqiptare e dyshuar për trafik ndërkombëtar kokaine është goditur në Belgjikë. Tetë persona u prangosën në kuadër të operacionit. prej të cilëve Gjykata la vetëm 4 në parabrgim. Mes të arrestuarve është edhe shqiptari Gerd Gjinarari, i njohur me nofkën “Gjenerali”.

Operacioni është zhvilluar pas një hetimi që kishte nisur rreth një vit më parë, kur policia belge mori informacion se në një apartament në Berchem, Antwerp, ruheshin sasi të mëdha kokaine.

Në fokus të hetuesve u vu një 48-vjeçar, i cili dyshohet se shërbente si “broker” ose ndërmjetës mes grupeve kriminale në Shqipëri dhe Amerikën Latine. Sipas autoriteteve belge, ai koordinonte grupet që merreshin me dërgimin, nxjerrjen nga porti dhe shpërndarjen e drogës.

48-vjeçari dyshohet gjithashtu se ofronte mënyra të ndryshme për trafikimin e kokainës, siguronte ndihmën e personave, përfshirë punonjës sigurie dhe drejtonte grupet që merreshin me nxjerrjen e ngarkesave nga porti i Antwerp-it.

Hetimi kishte çuar më herët në sekuestrimin e dy ngarkesave me kokainë, përkatësisht 46 dhe 53 kilogramë.

Gjatë kontrolleve të zhvilluara në Antwerp, Berchem, Deurne, Kapellen dhe disa zona të Brukselit, policia gjeti armë dhe municione të fshehura, jelekë antiplumb, bllokues sinjali, para cash, makinë për numërimin e parave, pasaporta dhe karta shtypi të falsifikuara, si dhe presa dhe kallëpe për prodhimin e blloqeve të kokainës.