Është hedhur shorti në Gjykatën e Apelit Administrativ për ankimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj lidhur me padinë për mënyrën e emërimit të Olsi Dados.

Pas humbjes së çështjes në shkallën e parë, ankimimi është dërguar në Apelin Administrativ.

Mësohet se çështja i ka rënë për shqyrtim gjyqtares Blerona Hasa.

Më herët Veliaj ka deklaruar se gjykata e shkallës së parë nuk e ka shqyrtuar në themel çështjen dhe kërkon që pretendimet për ligjshmërinë e emërimit të Dados të shqyrtohen nga Gjykata Administrative e Apelit. Veliaj ngre gjithashtu argumente mbi kriteret që, sipas tij, nuk janë përmbushur në momentin e emërimit të Dados në vitin 2008 dhe kërkon verifikimin gjyqësor të aktit të emërimit. Në reagimin e tij, kryebashkiaku e lidh çështjen edhe me parimin e barazisë para ligjit dhe kontrollin gjyqësor mbi ushtrimin e pushtetit penal.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, u arrestua në shkurt të vitit të kaluar nga Prokuroria e Posaçme me akuzat e korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë dhe po gjykohet nën masën e sigurisë “arrest me burg” në Gjykatën e Posaçme.