Detaje të reja dalin nga atentati i dyfishtë në Vlorë, ku mbetën të vrarë drejtori i OSHEE-së së këtij qyteti Roland Saliu dhe pronari i një televizioni lokal, Erven Hyseni.
Makina që kanë përdorur autorët e krimit të rëndë dhe që u gjet e djegur 2 orë pas krimit, është pikërisht “BMW”-ja që u vodh një javë më parë në Durrës.
Sipas burimeve, “DurrësLajm” mëson se në policinë e Durrësit është thirrur për të dhënë dëshminë e saj shtetasja R.XH., 46 vjeçe, e cila sapo e kishte blerë automjetin në fjalë, i tipit “BMW” me targë AA 348 PC. Siç kemi raportuar edhe më parë, ajo kishte vetëm dy javë që e kishte blerë makinën, në momentin që persona të paidentifikuar ia vodhën gjatë orëve të vona të natës. Ngjarja ka ndodhur duke u gdhirë 19 maji, ndërsa rasti u denoncua si vjedhje e zakonshme, pasi në Durrës janë shtuar në masë vjedhjet e makinave gjatë muajve të fundit (lexo këtu).
Disa orë pas vrasjes së dyfishtë, në policinë e Durrësit është thirrur për të dhënë dëshminë gjatë orëve të vona të mbrëmjes edhe një tjetër person, shtetasi me iniciale L.C., i cili figuron ende me dokumente pronari i mjetit, pasi 46-vjeçarja nuk e kishte regjistruar ende “BMW”-në në emër të saj, raporton “DurrësLajm”.
Atentati në Vlorë
Rreth orës 19:40, persona të paidentifikuar qëlluan me breshëri automatiku në drejtim të një lokali në qendër të Vlorës, duke lënë të vrarë në vend drejtorin e OSHEE-së së këtij qyteti, Roland Saliun dhe duke plagosur rëndë biznesmenin Erven Hyseni. Ky i fundit u dërgua në gjendje të rëndë për jetën në spital, ku dhe ndërroi jetë.
Automjeti i tipit “BMW” me targë AA 348 PC, që dyshohet se është përdorur nga autorët e vrasjes së dyfishtë, është gjetur i djegur rreth 2 orë pas ngjarjes së rëndë, në afërsi të Panajasë, pranë mbikalimit, i përfshirë nga flakët.
Për shuarjen e flakëve është dashur ndërhyrja e zjarrfikëses. Sipas policisë, makina është dëmtuar pjesërisht.
S.Likmeta





