Teuta u shpall kampione e Shqipërisë dhe sigurisht nuk mund të mungonte një festë madhështore, e organizuar nga klubi në një prej resorteve buzë detit Adriatik.

Teuta e nisi festën menjëherë pas vërshëllimës së arbitrit Hamiti në “Niko Dovana”, ku pati lot gëzimi.Trofeu ishte më i dëshiruari nga të gjithë tifozët, të cilët mësynë në fushë.

Pas ceremonisë zyrtare të titullit, më pas në orën 20:30 të gjithë lojtarët u mblodhën për të hipur në autobus dhe menjëherë nisën xhiron në qytet.

Shumë tifozë të gëzuar që përshëndesnin kampionët e rinj të këtij qyteti, që pas vuajtjeve të dy viteve të fundit mes tërmetit dhe pandemisë, tashmë iu kthye buzëqeshja.

Rreth orës 21:15, ekipi mbërriti në “Amara Hotel”, ku nga ai moment, të gjithë lojtarët priten me duartrokitje e më pas ulen të konsumojnë diçka. Ishte një atmosferë fantastike, me të gjithë të entuziazmuar dhe duke pirë ndonjë gotë më shumë.

Klubi ishte kujdesur deri në detaje, duke ftuar shumë figura të futbollit durrsak, pikërisht trajnerin e parë kampion, Haxhi Ballgjini, vëllain e tij Shyqyri Ballgjini, por edhe ish-lojtarë, si Fatmir Hima, Gentjan Begeja, Xhevahir Kapllani, Bledar Mancaku, Justin Bespalla, Oerd Kote, Qazim Buna, Shaqir Stafa, Vangjel Mile, Markelian Xhai, Lutfi Sejdini dhe shumë të tjerë të cilët po festonin së bashku në një tavolinë.

Ishte koha për të festuar dhe lojtarët të cilët ishte duke darkuar, për një moment u kthyen në gazetarë. Këtë rol e bënë Albano Aleksi dhe Emiljano Vila, të cilët morën mikrofonin dhe nisën të intervistonin shokët. Pati shumë humor dhe të qeshura, me drejtorin teknik Sulejman Starova, që nuk ngurroi të thumbonte pjesëtarët e stafit.

Përpos kësaj feste, durrsakët kishin kohë të bënin edhe shëtitje buzë detit dhe natyrisht foto dhe video pa fund me tifozët e pranishëm, që e shijuan shumë këtë moment.

Kishte edhe nga ata lojtarë që qëndruan me familjarët e tyre. Në një moment skena ishte për trajnerin Martini, i cili nisi të kërcente me tifozët dhe lojtarët: “Urime, urime ekipit kampion”.