Një tjetër sasi kanabisi është zbuluar në ujërat e bregdetit të Durrësit, ndërsa autorët e implikuar në këtë veprimtari kriminale nuk janë identifikuar ende edhe në këtë rast.
Në afërsi të Kepit të Rodonit dhe në zonën e Gjirit të Lalzit, në det janë konstatuar dhe sekuestruar 22 pako, me 113 kg kanabis sativa, bën të ditur policia.
Droga u konstatua nga Roja Bregdetare, Policia Kufitare dhe Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, gjatë kontrolleve të ushtruara në këtë zonë.
“Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës kanë kryer veprimet e mëtejshme procedurale dhe peshimin e lëndës, ku në përfundim rezultoi se pesha e përgjithshme e lëndës narkotike ishte 113 kg e futur në 22 pako.
Grupi hetimor në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda vijojnë hetimet për zbulimin e origjinës së lëndës, identifikimin e personave të përfshirë në këtë aktivitet kriminal dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes”, njofton policia e Durrësit.
Materialet e kësaj çështjeje i kaluan Prokurorisë së Krimeve të Rënda Tiranë për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”.
3 raste në 3 javë
Brenda më pak se një muaji, kjo është hera e tretë që në ujërat e bregdetit të Durrësit gjenden sasi kanabisi. Më 29 prill, një thes me 20 kg kanabis u gjet në zonën e Kallmit (lexo këtu), ndërsa vetëm pak ditë më vonë, më 3 maj, te “Kepi i Palit” në breg të detit u gjetën dhe u sekuestruan 74 pako të mbështjella me celefon të tejdukshëm me peshë 115 kg e 900 gramë kanabis (lexo këtu).





