AKU ka bllokuar në portin e Durrësit një sasi prej 26 tonë mish pule e ardhur nga Brazili pasi kishte prezencë salmonele.

Sipas një njoftimi për shtyp të shpërndarë nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, kjo ngarkesë me origjinë nga Brazili, është importuar më datë 3.5.2017 dhe është bllokuar më pas për t’iu nënshtruar analizave.

“Nga kjo ngarkesë e bllokuar, janë marrë mostra për t’u analizuar pranë ISUV. Me daljen e përgjigjeve të analizave nga ISUV më datë 10.5.2017, ka rezultuar se kjo ngarkesë e importuar nga Brazili me mish pule ka prezencë të salmonella spp. Sasia e ngarkesës me mish pule, vijon të qëndrojë e bllokuar në PIK Durrës, për procedura të mëtejshme”, bën të ditur AKU.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit thotë së po ndjek hap pas hapi të gjitha procedurat ligjore, për të garantuar sigurinë ushqimore për konsumatorët shqiptarë.

Njoftimi i AKU-së:

AKU BLLOKON NJË SASI MISHI PULE ME ORIGJINË NGA BRAZILI , ME PREZENCË  TË SALMONELLA SPP

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, referuar  urdhrit 131 datë 4.4.2017 të Ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave,” për importin e ngarkesave të produkteve me origjinë shtazore, të importuara nga Brazili, në pikat e inspektimit kufitar”, ka bllokuar një sasi prej 26 ton mish pule, të rezultuara me prezencë të salmonella spp. Inspektori i AKU-së në Pikën e Inspektimit  Kufitar Durrës, bazuar edhe në pikën 2 të  këtij urdhri, ku thuhet se “për çdo ngarkesë të importuar, të merren mostra për analizimin e tyre  pranë Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (ISUV)”, ka bërë bllokimin e kësaj ngarkese me mish pule në PIK  me origjinë nga Brazili, e importuar nga firma importuese AMG më datë 3.5.2017. Nga kjo ngarkesë e bllokuar, janë marrë mostra për t’u analizuar pranë ISUV.

Me daljen e përgjigjeve të analizave nga ISUV më datë 10.5.2017, ka rezultuar se kjo ngarkesë e importuar nga Brazili me mish pule ka prezencë të salmonella spp.  Sasia e ngarkesës me mish pule, vijon të qëndrojë e bllokuar në PIK Durrës, për procedura të mëtejshme.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit  me përgjegjësi të plotë ndjek hap pas hapi të gjitha procedurat ligjore, për të garantuar sigurinë ushqimore për konsumatorët shqiptarë.