Tenton të trafikojë kanabis sativa me “Benz” drejt Italisë duke kaluar kufirin përmes portit të Durrësit, arrestohet 41-vjeçari nga Kruja.
Policia Kufitare ka goditur kështu një rast trafikimi të lëndëve narkotike, duke sekuestruar 23.2 kg kanabis sativa.
I arrestuari është Arben Dobrozi 41 vjeç, banues në Bilaj, Fushë-Krujë. Ai e kishte fshehur sasinë e lëndës narkotike në automjetin tip “Benz” me targa AA 630 PY , në pjesën e traversës gjatësore. Policia sqaron se poshtë automjetit, në krahun e majtë dhe të djathtë, ishin vendosur tuba llamarine në formë të rrumbullakët, në brendësi të së cilave u konstatuan disa pako me lëndë narkotike, të mbështjella me natriban.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda po vijojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Krimeve të Rënda Tiranë për veprime të mëtejshme për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” e mbetur në tentativë.





