Ministria e Brendshme ka vlerësuar protestën e Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj, duke theksuar se u zhvillua në normalitet dhe pa asnjë incident.
Në përfundim të protestës, Ministria e Punëve të Brendshme dëshiron të falënderojë përzemërsisht të gjithë qytetarët e Tiranës dhe qyteteve të tjera të Shqipërisë për mirëkuptimin, durimin e dëshmuar dhe mbështetjen e dhënë ndaj forcave të Policisë së Shtetit, pavarësisht vështirësive që mund të kenë hasur gjatë bllokimit të disa akseve rrugore.
Një falenderim të veçantë, Ministria u drejton të gjithë punonjësve të Policisë së Shtetit të angazhuar ditën e sotme, të cilët me shumë sakrificë edhe me orë të tejzgjatura gatishmërie e shërbimi, realizuan me përgjegjësi, përkushtim dhe profesionalizëm detyrat e tyre në respekt të Kushtetutës dhe ligjit.
“Policia e Shtetit u angazhua maksimalisht në marrjen e masave për garantimin e zhvillimit normal të protestës që u mbajt në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke garantuar jo vetëm të drejtën e qytetarëve për të protestuar, por edhe sigurinë kombëtare, sigurinë publike dhe veprimtarinë normale të institucioneve”, thotë Ministria.
Ministria e Brendshme deklaron se policia menaxhoi me shumë profesionalizëm dhe korrektesë të gjithë lëvizjen në akset rrugore dhe parkimin në Tiranë të rreth 60 autobusëve, 80 mikrobusëve/furgonëve dhe rreth 700 autoveturave të ardhura për tubimin e organizuar nga PD dhe partitë e saj aleate nga të 12 qarqet e Shqipërisë, përfshirë këtu edhe nga njësitë administrative të Tiranës.
Ministria e Punëve të Brendshme gjen rastin të falënderojë dhe vlerësojë mediat që transmetuan me transparencë dhe profesionalizëm masat e marra dhe angazhimin e strukturave dhe punonjësve të Policisë së Shtetit në menaxhimin e këtij tubimi.
Në të njëjtën kohe, Ministria e Punëve të Brendshme vlerëson gjithashtu edhe bashkëpunimin e realizuar me institucionet e tjera ligjzbatuese në vend, para dhe gjatë protestës.
“Ne vlerësojmë pozitivisht asistencën dhe mbështetjen e ofruar nga ana e misioneve të asistencës ndërkombëtare, misioneve PAMECA V, ICITAP etj. në hartimin e realizimin e masave policore për menaxhimin e tubimit.
Dëshirojmë të vlerësojmë edhe mbështetjen e drejtpërdrejtë për menaxhimin e këtij procesi nga partnerët tanë dhe veçanërisht Ambasadën e SHBA-së, Delegacionin e BE-së dhe Prezencën e OSBE-së në Tiranë”, thuhet më tej në njoftim.





