Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar për dhunën ndaj gazetares Arbana Xharra.
Në një postim në rrjetet sociale, Thaçi shprehet i tronditur për ngjarjen në fjalë dhe thekson se dhuna ështe e papranueshme dhe e dënueshme.
“Jam thellësisht i tronditur dhe i shqetësuar me sulmin kundër Arbana Xharrës. Është krejtësisht i papranueshëm dhe i dënueshëm përdorimi i dhunës dhe asgjë nuk e arsyeton atë. Si shoqëri nuk bën të lejojmë që dhuna të bëhet mjet i shprehjes së pakënaqësisë sonë. Me këtë sulm të ulët nuk janë cënuar vetëm Arbana dhe familja e saj, por edhe parimet dhe vlerat demokratike mbi të cilat po e ndërtojmë shoqërinë tonë. Organet e rendit duhet ta zbardhin në tërësi rastin dhe t’i sjellin sulmuesit para drejtësisë.” shkruan Thaçi.
Edhe Kryeministri në largim, Isa Mustafa ka reaguar për dhunën e ushtruar ndaj Xharrës, e cila është njëkohësisht një prej anëtareve më të reja të Partisë Demokratike të Kosovës.
“Sulmi mbi Arbana Xharrën është akt i ulët dhe i turpshëm. Kryerësit duhet të sillen para drejtësisë”, shkruajti Mustafa në profilin e tij në Facebook.