Anëtarja më e re e Partisë Demokratike të Kosovës, Arbana Xharra është sulmuar sot rreth orës 01.00 pas mesnate.
Ende pa u bërë një javë në politikë, Arbana Xharra e ka gjetur vetën të sulmuar në një parking në Prishtinë.
E tërë ngjarja thuhet se ka ndodhur rreth orës 01.00 pas mesnatës, kur Xharra ishte kthyer nga Tirana, ku ishte ftuar në emisionin “Oktapod” të Turjan Hyskajt që transmetohet në Vizion Plus.
Ajo u dërgua në gjendje të rëndë në spital, ku ishte tërësisht e mbuluar, ndërkohë motivet e kësaj ngjarje ende mbeten të paqarta.
Pas aderimit të saj në PDK, Xharra ka qenë vazhdimisht objektiv i militantëve të partisë Vetëvendosje. Ata nuk kanë kursyer edhe fyerjet verbale ndaj saj.
Ish kryeredaktorja e gazetës “Zëri” edhe më parë ka qenë e kërcënuar, sidomos prej elementeve të islamit radikal.
Megjithatë, motivet për këtë sulm ndaj Xharrës ende mbeten të paqarta derisa policia e Kosovës të dalë me ndonjë deklaratë zyrtare për incidentin që ndodhi sot.
Ajo është dërguar në spital nga familjarët dhe anëtarë të partisë së saj, në të cilën ajo aderoi gjatë ditës së martë.
Mësohet se Xharra, pasi ka marrë ndihmën mjekësore e ka lënë spitalin dhe ka shkuar në banesën e saj. Gjendja e saj shëndetësore për momentin është e qëndrueshme.
Xharra pritet që gjatë ditës së shtunë të deklarohet për incidentin që ndodhi në një parking pas kthimit të saj nga Tirana.