Një person ka mbetur i vrarë mbrëmë rreth orës 22:30, në Lagjen e Boshnjakëve, në Mitrovicën e Veriut, konfirmoi Policia e Kosovës.
Zëvendës Drejtori i Policisë për rajonin e Veriut, Besim Hoti, tha për kallxo.com se një person ka mbetur i vrarë si pasojë e të shtënave me armë zjarri ndaj tij në një lokal në këtë lagje të Mitrovicës së Veriut. Një person është arrestuar si i dyshuar për këtë rast.
“Në rrugën Knjaz Milosh në lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicën e Veriut ka ndodhë një vrasje e një personi në një kafeteri të lagjes”, tha Hoti.
Ai tha se motivet e kësaj vrasjeje janë ende të panjohura.
“Në një kafeteri, i dyshuari ka shtënë në viktimën M.K. që ka mbetur i vdekur në vend”, tha Hoti.
“I dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes mirëpo Policia e ka arrestuar pasi është identifikuar në një postbllok. Ai është në mbajtje në stacionin policor. Prokurori ka dalë në vendin e ngjarjes dhe po i presim hetuesit e mjekësisë ligjore”, tha Hoti.
Javën e kaluar, u vra edhe i riu Ermal Kamberaj, i cili ishte duke punuar në një lokal, kur mbeti i vdekur nga 3 plumba që e qëlluan atë në kraharor.